Një tërmet i fuqishëm godet Tibetin: Të vdekur 16 persona
Një tërmet me magnitudë 7.0 ka goditur një rajon malor në Tibet, duke lënë të paktën 16 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, sipas mediave shtetërore kineze.
Sipas raportimit të BBC-së, epiqendra e tërmetit ishte në qarkun Baqen, në rajonin Nagqu, ndërsa lëkundjet shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale dhe detyruan mijëra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Tërmeti goditi zonën të enjten në mbrëmje, ndërsa autoritetet kineze shpallën gjendjen emergjente dhe angazhuan ekipet e shpëtimit për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat kineze, 339 shtëpi janë shembur si pasojë e tërmetit, ndërsa më shumë se 12 mijë e 400 persona janë zhvendosur nga zonat e prekura. Lëkundjet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa rrëshqitjet dhe rënia e shkëmbinjve bllokuan disa rrugë, duke vështirësuar qasjen e ekipeve të shpëtimit në zonat malore.
Furnizimi me energji elektrike ka nisur të rikthehet në disa pjesë të rajonit, ndërsa operacionet e kërkim shpëtimit po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të terrenit dhe lartësisë së madhe.
Një ndërtesë e shembur dhe shtëpi të tjera të dëmtuara në Dahejia, në qarkun Jishishan
Dëshmitarët kanë përshkruar momente paniku gjatë tërmetit, kur ndërtesat u lëkundën fuqishëm dhe banorët dolën me nxitim në rrugë për të shpëtuar.
Një banore e rajonit Nagqu, Yixi Cuomu, i tha gazetës “Tibet Daily” se ishte në gjumë kur shtëpia e saj filloi të dridhej me forcë. Ajo doli jashtë zbathur, ndërsa këmbët i dridheshin nga frika gjatë zbritjes së shkallëve.
Nga frika e pasgoditjeve, shumë banorë vendosën ta kalonin natën jashtë, në tenda ose në automjetet e tyre, pavarësisht temperaturave nën zero.
Sipas mediave shtetërore kineze, pas tërmetit kryesor janë regjistruar më shumë se 400 pasgoditje.
Kryeministri kinez, Li Qiang, ka bërë thirrje për përpjekje urgjente për shpëtimin e të prekurve, trajtimin mjekësor të të plagosurve dhe sistemimin e banorëve që kanë mbetur pa strehim.
Ai ka theksuar se zona e goditur ndodhet në një lartësi prej rreth 4,800 metrash mbi nivelin e detit dhe paraqet rrezik të shtuar për shkak të pasgoditjeve.
Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave ka dërguar një grup pune në rajon për të koordinuar operacionet e shpëtimit dhe ndihmën për të prekurit.
Ndërkohë, qeveria kineze ka ndarë 50 milionë juanë, rreth 7.5 milionë dollarë sipas raportimit, për përballimin e pasojave të tërmetit dhe mbështetjen e banorëve.
Tibeti dhe zonat përreth tij janë të ekspozuara ndaj tërmeteve të fuqishme për shkak të aktivitetit tektonik në rajon.
Në dhjetor të vitit 2023, një tërmet me magnitudë 6.2 goditi provincën Gansu në Kinë, duke shkaktuar më shumë se 120 viktima.
Tërmeti i fundit ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e banorëve në zonat malore, ku lartësia, temperaturat e ulëta dhe terreni i vështirë mund t’i komplikojnë operacionet e shpëtimit.
Autoritetet kineze po vazhdojnë përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë të prekurve, ndërsa pritet të ketë informacione të tjera për dëmet dhe gjendjen e banorëve në zonat e goditura. /KosovaNews/
