Pacolli: Nuk do të tolerojmë punime ndërtimore pa mbikëqyrje profesionale
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka pritur në takim kryetarin e Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, dhe anëtarët e Bordit të kësaj ode, me të cilët ka diskutuar për fuqizimin e rolit të saj në mbikëqyrjen e punës së inxhinierëve në projekte dhe vendpunishte.
Përmes një postimi, Pacolli ka theksuar rëndësinë e pranisë aktive të inxhinierëve në vendpunishte, duke vlerësuar se mbikëqyrja profesionale është thelbësore për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve.
Ajo ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, do të angazhohen që vendpunishtet në Kosovë të respektojnë ligjet, rregullat dhe masat e sigurisë në punë.
“Nuk do të tolerojmë punime pa mbikëqyrje profesionale dhe as keqpërdorim të licencave nga inxhinierët e licencuar”, ka deklaruar Pacolli.
Ministrja ka theksuar gjithashtu se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të angazhohet që edhe projektet publike të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet ndërtimore, mbikëqyrjen profesionale dhe angazhimin e inxhinierëve të licencuar.
