Vrasja e gruas shtatzënë në Kosovë, autoritetet paralajmërojnë dorëheqje e shkarkime
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu tha sot se shtatzëna e vrarë e kishte raportuar bashkëshortin e saj në korrik të këtij viti për dhunë psiqike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt.
Në anën tjetër Gjykata Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me rastin e gruas shtatzënë e cila u vra mbrëmë në oborrin e Gjinekologjisë në Prishtinë.
Haxhiu po ashtu ka paralajmëruar dorëheqje e shkarkime pasi të vërtetohet dështimi në hallkat institucionale pas vrasjes së gruas shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK të mërkurën.
“Momenti që do të verifikohet hallka dështuese institucionale, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Ju garantoj që nëse shohim dështim në hallkat institucionale, do të ketë dorëheqje apo shkarkime”, ka thënë Haxhiu.
Gjykata ka thënë se gruas ia ka lëshuar urdhrin për mbrojtje nga data 13 shtator dhe ka qenë e vlefshme deri më 13 mars të vitit 2023.
Gjykata njoftoi tutje se i dyshuari S.H., më 23 shtator ishte shpallur fajtor për armëmbajtje. Më 10 gusht ai është akuzuar edhe për kanosje ndaj gruas.
I njëjti siç raporton policia ende është në arrati.
Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka thënë se në disa lokacione është kërkuar i dyshuari, por deri tani nuk është hasur.