POLITIKATË FUNDIT

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e vrasësit të shtatzënës

Policia kërkon ndihmë për arrestimin e burrit që dyshohet se vrau gruan shtatzënë te QKUK’ja, ia publikon foton

Policia e kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Sokol Halilit, që dyshohet se mbrëmë vrau gruan e tij shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, raporton Express.

Përmes një kërkese për bashkëpunim, të cilës ia ka bashkangjitur edhe foton e të dyshuarit, Policia ka lutur të gjithë ata që kanë ndonjë informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar , të kontaktojnë policinë në numrin e telefonit: 192.

“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar. I dyshuari Sokol Halili, i lindur më 07.05.1991 nga fshati Godancë KK Shtime, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 30.11.2022, në Prishtinë.

Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në kërkesën e Policisë

Ndryshe, një vrasje makabre është kryer dje rreth orës 18:00, në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Viktima është Hamide Magashi, një 35-vjeçare që ishte në javën e 41’të të shtatzanisë. Ajo është vrarë para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, ku kishte shkuar për të kryer lindjen.

I dyshuari për vrasje është Sokol Halili, me të cilin viktima ishte në prag të divorcit. Pas vrasjes, ai ka ikur dhe ende ndodhet në arrati.

Vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00, derisa Policia e Kosovës e ka konifirmuar rastin në orën 19:00.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka deklaruar mbrëmë për Gazetën Express se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas raportimeve në media, 35-vjeçarja kishte dalë nga klinika për të blerë diçka dhe kur po kthehej ishte takuar me ish-bashkëshortin, i cili raportohet se menjëherë ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me tre plumba.

Bashkëshorti kishte ushtruar dhunë fizike e psiqike ndaj 35-vjeçares disa herë, madje kjo raportohet të ketë qenë edhe arsyeja e fillimit të procedurave për divorc.

Motra e viktimës ka deklaruar mbrëmë për T7 se ata kanë pasur probleme edhe më herët, dhe se burri i saj gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi.

Sipas saj, viktima është ndarë me të me ndihmën e Policisë.

Ajo ka pasur edhe urdhër mbrojtës të lëshuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Sipas kësaj gjykate, ky urdhër ishte lëshuar më 13 shtator dhe vlente deri më 13 mars të vitit 2023.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, thuhet në komunikatë.

Ndaj të njëjtit, në gusht të këtij viti ishte ngritur edhe aktakuzë për kanosje. Sipas Gjykatës, ai se kishte pranuar fajësinë për këtë vepër.

“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M. Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”, ka njoftuar Gjykata.

I njëjti, në shtator të këtij viti, është shpallur fajtor dhe dënuar për armëmbajtje pa leje.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.”, thuhet në komunikatë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot para mediave ka thënë se do të ketë “shkarkime dhe dorëheqje” për këtë rast.

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucioni, hallka që ka dështuar, personi përgjegjës do të jap dorëheqje. Të gjithë në që jemi në pozicionet që mbajmë, kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kompetencat janë të ndara, por iu garantoj që nëse shohim që ka dështu dikush, do të këtë dorëheqje, do të ketë shkarkim. Por ta keni parasysh, që edhe në rastet e kaluara janë kërkuar dorëheqjet dhe shkarkimet kur ka dështuar prokuroria. Asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim. Dhe kjo neglizhencë po i inkurajon kriminelët, vrasësit”, tha ajo.

Haxhiu tha se kur të bëhet reforma në drejtësi “nuk do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që nuk i kryejnë detyrat e tyre”.

“Jam e bindur që në momentin që do të kemi reformën në drejtësi, nuk do të kemi prokurorë dhe gjyqtarë që nuk do t’i kryejnë detyrat e tyre”, tha Haxhiu./Gazeta Express

ARTIKUJ TË NGJASHËMMË SHUMË NGA AUTORI


Kosovë-Shqipëri

Steinmeier dhe Begaj: E rëndësishme ulja e tensioneve në Kosovë


Kosovë-Shqipëri

Gruaja e vrarë në Prishtinë kishte urdhër për mbrojtje


Kosovë-Shqipëri

Shefi i BE-së në Kosovë: Jam i tmerruar nga vrasja e mbrëmshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *