TË FUNDIT

Para se të ndizni ngrohjen, këto kontrolle duhet të bëni në shtëpi

Me uljen e temperaturave dhe nisjen e sezonit të ngrohjes, është e rëndësishme të kontrolloni pajisjet që përdorni për të ngrohur shtëpinë.

Disa kontrolle ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e rehatisë, ndërsa të tjera janë thelbësore për sigurinë.

Një nga hapat kryesorë është servisimi vjetor i sistemit të ngrohjes, ngrohësit të ujit dhe pajisjeve që funksionojnë me gaz, naftë ose qymyr. Këto kontrolle duhet të kryhen nga teknikë të kualifikuar.

Nëse përdorni oxhak, edhe ai duhet të pastrohet rregullisht për të shmangur rreziqet gjatë përdorimit.

Një tjetër rrezik që nuk duhet neglizhuar është monoksidi i karbonit, një gaz pa ngjyrë dhe pa erë, i cili mund të shkaktojë helmim të rëndë.

Simptomat përfshijnë dhimbje koke, marramendje, dobësi, të përziera dhe konfuzion. Për këtë arsye, rekomandohet instalimi i një detektori të monoksidit të karbonit dhe kontrolli ose zëvendësimi i baterive çdo gjashtë muaj.

Gjeneratorët, skarat me qymyr dhe pajisjet e kampingut nuk duhet të përdoren brenda shtëpisë, bodrumit apo garazhit.

Gjatë muajve të ftohtë, ngrohja mund ta thajë ajrin dhe të shkaktojë tharje të fytit ose irritim të syve.

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), lagështia relative në ambientet e brendshme duhet të mbahet përgjithësisht mes 30 dhe 50 për qind.

Një higrometër mund t'ju ndihmojë ta matni atë dhe të kuptoni nëse keni nevojë për një lagështues ajri.

Megjithatë, lagështia e tepërt mund të krijojë kondensim në dritare dhe të favorizojë zhvillimin e mykut e të marimangave.

Nëse përdorni lagështues ajri, pastrojeni rregullisht sipas udhëzimeve të prodhuesit, në mënyrë që të parandaloni grumbullimin e mykut dhe baktereve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *