Gjermania i bën presion Kroacisë për Malin e Zi – mund të bllokohet zgjerimi i BE-së
Gjermania po i bën presion Kroacisë që të zgjidhë mosmarrëveshjet me Malin e Zi, nga frika se ato mund të pengojnë procesin e anëtarësimit të Podgoricës në Bashkimin Evropian (BE).
Sipas raportimeve të mediave , Berlini kërkon nga Zagrebi një qasje më konstruktive ndaj çështjeve të hapura mes dy vendeve, në mënyrë që ato të mos e bllokojnë rrugën evropiane të Malit të Zi.
Kroacia së fundmi i ka paraqitur Malit të Zi një listë me tetë çështje që, sipas Zagrebit, duhet të zgjidhen para përfundimit të negociatave të anëtarësimit. Ato përfshijnë mosmarrëveshje historike, krimet e luftës, personat e zhdukur, çështjet pronësore dhe kufirin mes dy vendeve.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se Zagrebi prej vitesh i ka ngritur këto çështje me autoritetet malazeze, duke pretenduar se gjatë dy viteve të fundit nuk është shënuar përparim i mjaftueshëm në zgjidhjen e tyre.
Ndërkohë, qeveria gjermane ka ofruar ndërmjetësim mes dy vendeve, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve dhe bllokimin e procesit të integrimit evropian.
Edhe Komisioni Evropian është përfshirë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa disa shtete anëtare të BE-së po mbështesin dialogun mes Zagrebit dhe Podgoricës.
Mali i Zi konsiderohet një nga vendet kandidate më të avancuara në procesin e integrimit evropian dhe synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2028. Podgorica ka mbyllur përkohësisht një pjesë të kapitujve negociues, por mosmarrëveshjet me Kroacinë mund ta vështirësojnë përmbushjen e këtij objektivi.
Në Berlin ekziston shqetësimi se një bllokim i mundshëm i Malit të Zi do të dërgonte sinjal negativ edhe për vendet e tjera kandidate, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Për këtë arsye, Gjermania po kërkon që çështjet dypalëshe të zgjidhen përmes dialogut dhe të mos shndërrohen në pengesë për procesin e anëtarësimit. /Telegrafi/
