Kriza e banesave në Zvicër, shtrenjtohen abonimet për kërkimin e banesave
Platformat e patundshmërive në Zvicër kanë rritur çmimet e abonimeve premium, në një kohë kur gjetja e një banese me qira po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Në këtë shtet, personat që kërkojnë banesë me qira po përballen me kosto shtesë, pasi platformat e mëdha të patundshmërive kanë shtrenjtuar abonimet që u mundësojnë përdoruesve të kontaktojnë më shpejt pronarët. Sipas raportimit të mediumit zviceran Watson , duke iu referuar revistës për konsumatorë Beobachter, Swiss Marketplace Group (SMG), kompania që operon platforma si Homegate dhe ImmoScout24, ka rritur çmimet e abonimeve premium, transmeton Telegrafi. Që nga muaji i kaluar, këto abonime kushtojnë 34.95 franga zvicerane në muaj, për një kontratë gjashtëmujore. Çmimi para ndryshimit ishte rreth 30 franga në muaj për abonimin tremujor, që përbën një rritje prej më shumë se 10 për qind. Përmes këtyre abonimeve, personat që kërkojnë banesë mund të kontaktojnë menjëherë ofruesit e pronave. Ndërsa përdoruesit pa abonim mund të detyrohen të presin deri në 14 ditë, kohë gjatë së cilës shumë prej banesave mund të jenë marrë me qira. SMG e arsyeton rritjen e çmimeve me zgjerimin e shërbimeve. Përveç kontaktimit të menjëhershëm, abonentët përfitojnë edhe një ekstrakt pa pagesë nga regjistri i përmbarimeve, një kupon për zhvendosje dhe pozicionim të favorizuar në sistemin e mesazheve, për të tërhequr vëmendjen e pronarëve. Megjithatë, Shoqata e Qiramarrësve në Zvicër e ka kritikuar këtë zhvillim. Bashkësekretari i saj, Urban Hodel, ka theksuar se personat me të ardhura të ulëta kanë vështirësi të gjejnë banesa të përballueshme dhe nuk mund t’i përballojnë lehtësisht këto shpenzime shtesë. Sipas tij, operatorët po përfitojnë nga mungesa e banesave në treg. Nga ana tjetër, SMG i kundërshton këto kritika, duke argumentuar se shërbimet e saj i ndihmojnë kërkuesit të përmirësojnë shanset për të gjetur një banesë. Homegate dhe ImmoScout24 janë ndër platformat kryesore të kërkimit të banesave në Zvicër, ndërsa grupi SMG vlerësohet të ketë rreth 75 për qind të tregut online të patundshmërive. /Telegrafi/
