Në katër lokacione në Tetovë u vendosën semaforë me sinjalizim zanor për personat e verbër
Në katër lokacione të qytetit të Tetovës janë vendosur semaforë me sinjalizim zanor, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe lehtësimit të lëvizjes së personave të verbër.
Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, përmes një postimi në Facebook, informoi se semaforët e rinj janë promovuar së bashku me përfaqësuesit e Shoqatës së Personave të Verbër, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.
Sipas Kasamit, ky projekt synon t’u mundësojë personave me dëmtime në shikim që të kalojnë rrugën në mënyrë më të sigurt dhe më të pavarur.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se janë ulur edhe trotuaret për personat me nevoja të veçanta, duke lehtësuar qarkullimin e tyre dhe duke krijuar kushte më të përshtatshme për lëvizje të pavarur.
“Vazhdojmë të ndërtojmë një Tetovë pa barriera, me mundësi të barabarta dhe siguri për të gjithë qytetarët!”, ka shkruar Kasami në postimin e tij.
Vendosja e sinjalizimit zanor dhe përshtatja e trotuareve synojnë të kontribuojnë në krijimin e një hapësire publike më të qasshme dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.
