TË FUNDIT

Albanians for America: Serbia ende pa drejtësi për Banjskën, Radoiçiq shfaqet në tubimin e partisë në pushtet

Më shumë se tre vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Serbia ende nuk i ka nxjerrë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm.

Ndërkohë, Milan Radoiçiq, i cili ka pranuar se e organizoi grupin e armatosur që qëndronte pas sulmit, është parë në një tubim të Partisë Progresive Serbe (SNS), partisë në pushtet në Serbi, ku ishte i pranishëm edhe djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo paraqitje publike ka nxitur pikëpyetje lidhur me gatishmërinë e Beogradit për të siguruar drejtësi për sulmin në Banjskë, si dhe për përgjegjësinë e autoriteteve serbe ndaj personave të përfshirë në këtë rast.

Në një opinion të publikuar së fundmi, organizata Albanians for America ka analizuar implikimet politike të shfaqjes publike të Radoiçiqit, duke vënë në pikëpyetje përkushtimin e Serbisë ndaj drejtësisë, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve me Perëndimin.

Organizata u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që t’i kërkojnë Beogradit hapa konkretë dhe të matshëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin në Banjskë.

Në reagimin e saj, Albanians for America thekson se drejtësia për Banjskën nuk duhet të mbetet vetëm çështje e deklaratave diplomatike, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete për vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e ka pranuar organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023. Ai është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

Sulmi në Banjskë përbën një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në veri të Kosovës pas vitit 1999.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra gjatë përleshjeve me grupin e armatosur, ndërsa rasti vazhdon të jetë një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *