Afati skadon sot, Hamza me kusht për Kurtin: Pa miratimin e Ligjit, s’ka takim të dytë
Një seancë e kuvendit parashihet të thirret për sot në ora 14:00.
Derisa jashtë Kuvendit dhe Qeverisë numër i madh i protestuesve veçse janë mbledhur, brenda institucioneve ka zhvillime të tjera.
Tanimë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës është parë duke hyrë edhe zv/kryeministri Glauk Konjufca.
Nuk dihet nëse Konjufca po takohet me deputetët e tjerë të Vetëvendosjes, apo po zhvillohet ndonjë takim me përfaqësuesit e PDK-së.
Njëri nga organizatorët e protestës Çlirim Haziri, u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë projektligjin në lexim të dytë, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave nëse kjo nuk ndodh.
“Ose votojeni ligjin, ose dilni në zgjedhje me ‘vulën e turpit’ ”, tha Haziri para protestuesve.
“Derisa ligji të votohet, ne nuk e bëjmë asnjë hap prapa” , shtoi ai.
Haziri iu drejtua gjithashtu deputetëve me fjalët: “K jo masë do t’ju ndjekë si hije, sepse kush luan me themelet e kombit, nuk do të gjejë paqe”.
Projektligji u miratua në lexim të parë më 5 tetor, por votimi në lexim të dytë mbetet i papërfunduar. Vendit i mbeten dy çështje me rëndësi siç janë presidenti dhe Ligji për Specialen.
