POLITIKATË FUNDIT

BE shqyrton kufizime më të ashpra për diplomatët rusë, mes rritjes së kërcënimeve hibride

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve dhe kontrolleve më të ashpra ndaj diplomatëve rusë, ndërsa vendet anëtare përballen me një seri incidentesh që i kanë lidhur me luftën hibride të Moskës në Evropë.

Sipas diplomatëve të lartë të njohur me diskutimet, çështja mund të bëhet pjesë e hapave të ardhshëm të regjimit të sanksioneve të BE-së. Debati vjen në një kohë kur disa vende evropiane kanë raportuar raste sabotimi, sulme kibernetike dhe incidente me dronë, të cilat autoritetet i kanë lidhur me Rusinë.

Një prej opsioneve që po shqyrtohet është forcimi i kontrolleve mbi lëvizjet e diplomatëve rusë, me synimin për të kufizuar përdorimin e rrjetit diplomatik në aktivitete të dyshuara të luftës hibride dhe sabotazhit, transmeton Telegrafi.

Muajin e kaluar, Hungaria dëboi 10 diplomatë rusë, duke i akuzuar për sjellje “të papranueshme” në kuadër të Konventës së Vjenës të vitit 1961. Moska iu përgjigj me dëbimin e diplomatëve hungarezë.

Shqetësimet janë shtuar edhe pas incidenteve të tjera në Evropë, përfshirë një zjarrvënie të dyshuar në një kompani të industrisë së mbrojtjes në Estoni dhe zbulimin e një droni të pashpërthyer në aeroportin e Leipzigut në Gjermani, raste që autoritetet i kanë lidhur me aktivitetin rus.

BE-ja ka ndërmarrë tashmë hapa për të kontrolluar më nga afër lëvizjet e diplomatëve rusë. Paketa e 19-të e sanksioneve, e miratuar në tetor 2025, vendosi detyrimin që diplomatët rusë të njoftojnë paraprakisht një shtet anëtar kur udhëtojnë në zonën Schengen jashtë vendit ku janë të akredituar.

Rregulli vlen për diplomatët dhe zyrtarët konsullorë të të gjitha niveleve, si dhe për stafin administrativ, teknik e të shërbimit dhe familjarët e tyre. Shtetet anëtare mund të vendosin edhe një procedurë më të rreptë, duke kërkuar autorizim paraprak për hyrjen e diplomatëve rusë në territorin e tyre. Nëse autorizimi refuzohet, udhëtimi nuk mund të kryhet.

Megjithatë, kjo procedurë autorizimi nuk është e detyrueshme për të gjitha vendet dhe zbatimi i saj mbetet në kompetencën e shteteve anëtare. Komisioni Evropian ka pranuar se përvoja me sistemin e ri është ende e kufizuar.

Ndryshimi në qasjen e BE-së lidhet me shqetësimin se diplomatët rusë mund të kenë një rol, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në aktivitete destabilizuese. Më herët, mekanizmi i kontrollit ishte fokusuar kryesisht te aktivitetet e dyshuara të inteligjencës dhe përhapja e narrativave në favor të luftës.

Në draft-konkluzionet për samitin e ardhshëm të liderëve evropianë thuhet se veprimet e Rusisë “nuk do të mbeten pa përgjigje”, ndërsa BE-ja dhe shtetet anëtare pritet të përdorin mekanizmat në dispozicion për t’iu përgjigjur këtyre aktiviteteve.

Çdo masë e re duhet të marrë parasysh edhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzojnë diplomatët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Ndërkohë, BE-ja po shqyrton edhe masa të tjera ndaj Rusisë. Në agjendë janë një ndalim vizash për ish-ushtarët rusë, si dhe rregulla më të rrepta për turistët rusë. Këshilli i BE-së ka vendosur tashmë edhe bazën për një ndalim vizash ndaj luftëtarëve dhe ish-luftëtarëve të forcave të armatosura ruse.

Diskutimet për kufizime të reja vijnë në një periudhë kur zyrtarët evropianë paralajmërojnë për intensifikim të aktiviteteve hibride ruse, ndërsa Moska mohon akuzat për përfshirje në sulme dhe sabotime në Evropë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *