Uncategorized

Jasharaj: Partitë të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin një president që është UÇK

Analisti politik, Durim Jasharaj, ka thënë se zgjidhja ideale do të ishte që partitë politike në Kosovë të uleshin bashkë dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit, duke propozuar që në krye të shtetit të jetë një person që vjen nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Jasharaj ka thënë se, pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, zgjedhja e një presidenti nga radhët e UÇK-së do të ishte, sipas tij, një përgjigje simbolike dhe politike e Kosovës.

“Situata ideale do të ishte t’i ftosh krejt partitë dhe të uleshin të diskutonin pas vendimit të Gjykatës. Presidenti është pika e parë e një fillimi të mbarë. A po themi që është dënuar UÇK-ja? Bëjeni një president që është UÇK. Meqë na kanë dënuar UÇK-në, përgjigjja jonë si Kosovë, simbolike e politike, do të ishte presidenti që vjen prej UÇK-së. Sikur të jetë dikush nga familja Jashari”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Jasharajt, një vendim i tillë do të përçonte mesazhin se UÇK-ja qëndron në krye të shtetit dhe se duhet të jetë bartëse e një strategjie shtetërore.

“Na keni dënuar UÇK-në, ne e vendosim UÇK-në në krye të shtetit, të jetë bartësja e një strategjie shtetërore se si duhet të sillemi”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka folur edhe për mosbesimin ndërmjet partive politike, duke thënë se PDK-ja, sipas përshtypjes së tij, e ka përjetuar në mënyrë të padrejtë procesin në Hagë si një proces ndaj liderëve të saj politikë.

“Ata nuk janë kryetarë të PDK-së që po mbahen në Hagë, por liderë të UÇK-së dhe qasja do të ishte ndryshe. Ata s’po mbahen si dy persona apo katër persona që përfaqësojnë parti politike”, ka thënë ai.

Jasharaj ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Mendoj se kjo pikënisje është problematike, edhe ndryshimet që po kërkohen në Ligjin për Specialen, parë nga kjo perspektivë, më duket problematike”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se duhet të ketë debat shoqëror dhe parlamentar për ndryshimet e ligjit dhe për mënyrën se si Kosova duhet t’i përgjigjet situatës.

“Sot është e paqartë se çka ndihmojnë ato ndryshime. Duhet të ketë debat shoqëror e parlamentar dhe të diskutojmë cila është mënyra më e mirë që t’i përgjigjemi”, ka thënë Jasharaj.

Ndërkaq, ai ka kundërshtuar barazimin e PDK-së me UÇK-në, duke thënë se UÇK-ja është më e gjerë se çdo subjekt politik.

“Tendenca për ta barazuar PDK-në dhe UÇK-në është gabim. UÇK-ja është tërësia, PDK-ja copa, siç janë copa edhe LDK-ja, VV-ja e Aleanca. Populli e ka bërë UÇK-në”, ka përfunduar Jasharaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *