TË FUNDIT

KPK: Blerim Isufaj u shkarkua për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së performances

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur sot, më 2 tetor 2026, për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Vendimi u mor në një takim të jashtëzakonshëm të KPK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Arian Gashi.

Sipas njoftimit të KPK-së, Isufaj nuk largohet nga sistemi prokurorial, por do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale.

Këto janë arsyet e largimit

KPK thotë se gjatë ushtrimit të detyrës së Kryeprokurorit janë evidentuar dhe konstatuar disa rrethana, të cilat, sipas Këshillit, kanë qenë bazë për largimin e tij nga pozita.

Ndër arsyet kryesore të përmendura janë:

Keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës;
Jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit;
Dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj;
Mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës, e konstatuar përmes procesit të vlerësimit të performancës.
KPK thekson se këto, sipas tij, nuk janë vlerësime politike apo konsiderata të përgjithshme, por rrethana që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e ushtrimit të detyrës, përgjegjësitë ligjore dhe standardet profesionale të kërkuara nga drejtuesi i Prokurorisë Speciale.

Sipas Këshillit, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për largimin nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

KPK: Katër vitet e fundit ndikuan në dobësimin e efikasitetit

Në njoftim, KPK shpreh shqetësim të veçantë për gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale.

Këshilli thotë se mënyra e menaxhimit të Prokurorisë Speciale, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale.

Sipas KPK-së, drejtimi i Prokurorisë Speciale nuk nënkupton vetëm ushtrimin formal të kompetencave administrative, pasi Kryeprokurori ka përgjegjësi për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit.

Dren Paca caktohet ushtrues detyre

Pas largimit të Isufajt nga pozita drejtuese, KPK ka caktuar Dren Pacën, prokuror në Prokurorinë Speciale, si Ushtrues të Detyrës së Kryeprokurorit.

Ai do ta ushtrojë këtë funksion deri në plotësimin e pozitës përmes procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

KPK thotë se qëllimi i këtij vendimi është të sigurohet vazhdimësia e funksionimit të Prokurorisë Speciale, pa ndërprerje në trajtimin e rasteve penale.

Fokus i veçantë te krimi i organizuar dhe transnacional

Në pjesën tjetër të njoftimit, KPK paralajmëron masa për forcimin e efikasitetit dhe kapaciteteve të Prokurorisë Speciale.

Vëmendje e veçantë, sipas Këshillit, do t’i kushtohet luftimit të krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë:

kontrabandimin e migrantëve;
trafikimin e narkotikëve;
trafikimin e qenieve njerëzore;
pastrimin e parave;
veprimtarinë e organizatave kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
KPK thotë se nuk do të tolerojë dobësi në menaxhim, mungesë rezultatesh apo mosrespektim të standardeve të performancës që, sipas tij, mund të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale.

Vendimi për largimin e Blerim Isufajt është marrë në mbështetje të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa Isufaj do të vazhdojë të punojë si prokuror në Prokurorinë Speciale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *