TË FUNDIT

Agjenda e sotme e Escobarit në Kosovë, pritet të takojë përfaqësuesit e institucioneve

Agjenda e sotme e Escobarit në Kosovë, pritet të takojë përfaqësuesit e institucioneve

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka nisur vizitën dyditore në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e partive opozitare dhe liderët shtetërorë.

Fillimisht, të enjten ai u takua me përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë, ndërkaq, të premten pritet të takohet fillimisht me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, më pas me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi me Osmanin është paraparë të nisë në orën 09:00 dhe dy zyrtarët më pas do të deklarohen për media.

Më pas, në orën 10:20 ai do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në selinë e Qeverisë së Kosovës, për t’u takuar me Kurtin, Escobar do të shkojë në orën 11.00.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë vjen pasi ai qëndroi dy ditë në Beograd të Serbisë. Atje, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministren e këtij shteti, Ana Bërnabiq.

Kjo vizitë po ashtu vjen para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, në rundin e ri të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.

Escobar do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit, në cilësinë e vëzhguesit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ngaAmbasada amerikane në Shkup.

Dy prej partive më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur kundërshti lidhur me propozimin evropian, pasi sipas tyre aty nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndërkaq në të palët pajtohen të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, që nënkupton edhe marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për propozimin evropian.

BE-ja ka thënë se Asociacioni është kushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.

Ndërkaq, Escobar gjatë konferencës për media në Beograd më 16 mars, tha se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.

“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan po ashtu tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.

Ndryshe, në propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *