Ja kush do të kryesojë Panelin e Apelit në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë
Gjyqtarja franceze Michele Picard do të kryesojë Panelin e Gjykatës së Apelit në procedurën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përbërja e Panelit të Apelit është bërë e ditur më 29 shtator, në kuadër të vendimeve të marra për zhvillimin e procedurës së apelit dhe pjesëmarrjen e viktimave.
Paneli përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen, ndërsa Picard është përcaktuar si kryesuese e tij. Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se ky panel është caktuar për të shqyrtuar çështjet që lidhen me njoftimet e apelit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
ImageGjyqtarja franceze Michele PicardFoto galeri
Zhvillimi vjen pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026, me të cilin Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe u dënuan përkatësisht me 25, 18, 13 dhe 25 vjet burgim.
Afati për ankesat, 27 nëntori
Më 29 shtator, Paneli i Gjykatës së Apelit ka miratuar pjesërisht kërkesën e ekipeve të Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel.
Të njëjtën zgjatje e ka përfituar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa 27 nëntori 2026 është përcaktuar si afati për dorëzimin e njoftimeve për apel nga Mbrojtja dhe ZPS-ja.
Sipas Dhomave të Specializuara, ekipet e Mbrojtjes së katër të akuzuarve kishin paraqitur më 22 shtator kërkesë të përbashkët për zgjatjen e këtij afati.
Përcaktohen edhe modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave
Në një vendim tjetër të 29 shtatorit, Paneli i Apelit ka përcaktuar mënyrën e pjesëmarrjes së viktimave në procedurën e apelit.
Paneli ka vendosur që të zbatohet një regjim i ngjashëm me atë të përdorur gjatë gjykimit në shkallën e parë, me përshtatjet që kërkon faza e apelit.
Pjesëmarrja e viktimave do të kufizohet në çështjet që prekin interesat e tyre personale dhe nuk duhet të cenojë të drejtat e të akuzuarve.
Viktimat do të vazhdojnë të përfaqësohen përmes Mbrojtësit të Viktimave, ndërsa ky i fundit do të ketë qasje në materialet e dosjes së çështjes, përfshirë parashtresat, transkriptet dhe materialet provuese, në përputhje me rregullat përkatëse të konfidencialitetit.
Mbrojtësi i Viktimave do të mund të marrë pjesë edhe në seancat e apelit, përveç rasteve kur Paneli vendos ndryshe.
156 viktima pjesëmarrëse në proces
Në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, 156 viktima kanë marrë pjesë në procedurën gjyqësore. Kjo shifër është konfirmuar nga vetë Dhomat e Specializuara.
Me caktimin e Panelit të Apelit dhe përcaktimin e afateve për njoftimet e apelit, procedura tashmë ka hyrë në fazën e radhës pas aktgjykimit të shkallës së parë.
Paneli i përbërë nga Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen do të udhëheqë kështu procedurën e apelit në një prej rasteve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
