TË FUNDIT

Digjet bodrumi i shtëpisë së familjes së gazetarit Vudi Xhymshyti në Gjilan

Një bodrum i një shtëpie është përfshirë nga zjarri në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit.

Shtëpia raportohet se është pronë e familjes së gazetarit Vudi Xhymshiti.

Sipas informacioneve, brenda këtij bodrumi ndodhej edhe një veturë e viteve ’80, e cila është djegur nga zjarri që ka përfshirë bodrumin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve në nivel të stacionit policor dhe ato të hetimeve rajonale.

Siç ka marrë vesh KALLXO.com, rasti është raportuar në polici nga motra e gazetarit Vudi Xhymshiti.

Sipas Policisë, rasti është raportuar të shtunën, më 26.09.2026, rreth orës 15:45, ndërsa shtëpia ku ka ndodhur zjarri ishte e pabanuar.

” Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale në bodrumin e shtëpisë, ku ndodheshin një veturë, mjete pune dhe disa orendi shtëpiake”- thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Ai ka thënë se koha e saktë kur kishte ndodhur zjarri nuk është përcaktuar.

“Njësitet relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit dhe zyrtarët e Krimteknikës Rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në vendngjarje ka dalë edhe eksperti për zjarre”- ka deklaruar Osmani.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Policia ka iniciuar rast për hetime në drejtim të veprës penale “Zjarrvënie”.

Ndërkohë, gazetari Vudi Xhymshiti ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke pretenduar se zjarri në shtëpinë e prindërve të tij në Gjilan mund të jetë i lidhur me punën e tij si gazetar.

Xhymshyti ka shkruar se kjo shtëpi ishte djegur edhe në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.

“Ky është shtëpia e prindërve të mi të ndjerë. Sot është e djegur përsëri…Për mua, ky sulm lidhet drejtpërdrejt me punën time si gazetar dhe me përpjekjen për të më frikësuar e heshtur”- ka shkruar ai më 26.09.2026.

Gazetari ka kërkuar që rasti të hetohet nga autoritetet dhe ka thënë se nuk do të ndalet në punën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *