Rexhep Shahu me kritika të ashpra pas vendimit të Speciales: Në Apel nuk pi ujë asgjë veç argumenteve
Gazetari Rexhep Shahu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke kritikuar protestat e zhvilluara në Prishtinë.
Shahu ka theksuar se vendimi, sipas tij, lidhet me përgjegjësi individuale dhe nuk nënkupton kriminalizimin e UÇK-së apo luftës së shqiptarëve.
Ai ka kritikuar protestuesit, avokatët dhe ata që, sipas tij, po e politizojnë procesin gjyqësor, duke theksuar se në Apel kanë rëndësi argumentet juridike dhe ligjore, e jo presioni i turmave apo deklaratat politike.
“Para gjykatës edhe presidenti i Amerikës nuk ka çfarë bën. Shyqyr që gjykata nuk ka mendt e turmës”, ka shkruar Shahu.
Shkrimi i plotë:
U bë e bajatshme me shkrue e me folë, Gjithkujt që ka telefon e Fb po na duket vetja i dijshëm.
Vendimi i gjykates speciale u shpall. Nuk u cënua UÇK as nuk u kriminalizua lufta e shqiptarve, nuk ka krime kundër njerzimit, nuk ka transplant organesh as Shtëpi të verdhë as të zezë, por përgjegjësi individuale të 4 përsonave të dënuar.
Ndërkohë ka sërish tallavaprotesta si edhe herë të tjera për ta shëmtue edhe më shumë shëmtinë. Ata që bëjnë sikur protestojnë, shumica nuk dinë asgjë për luftën as UÇK dhe nuk janë gati as për luftë as për qëndresë…
Avokatët që kanë marrë dollarë me kilogramë ngatërrojnë dhe nxisin ngatërresa politike me justifikue dështimin ose pamundësinë e tyre.
Në gjykatë nuk pinë ujë fjalimet e Rubinit as Klarkut as Hillit as Billit as Bajdenit.
Gjykata ka punë tjetër, politika punë tjetër. Klarku nuk e komandon gjykatën as Rubini.
Në gjykatë merr vlerë të plotë thënia që çdo berr varet nga këmbët e veta…
Gjykata speciale nuk është në dorë të avokatëve që dështojnë në mbrojtje e që thërrasin të mbyllet gjykata…, nuk është në dorë të protestuesve tallava që dalin në protestë për gallatë me vra kotësinë e jetës së tyre, dhe bëjnë kërkesa të tjera politike, nuk është në dorë të deputetëve të pakënaqur as të partiakëve që i duan 4 të dënuarit për vota e asgjë tjetër.
Gjykata speciale u bë sic deshën shqiptarët, amerikanët dhe europianët. Në mos kështu siç u bë, ajo do të bëhej nga OKB me rusë, kinezë e nga gjithë kombet.
Nuk e zhbën dot atë gjykatë turma e sheshi as në Prishtinë as në Hagë as në Hënë as sot as nesër.
Pavarësisht dënimit final, Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë me mbetë në histori si krijues vizionarë të kësaj gjykate.
Falë atyre të dyve kjo gjykatë u formua nga miqtë e Kosovës dhe kjo u pa në vendimin e parë që nuk e dënoi UÇK e luftën e drejtë të saj.
Por Kosovën e çliruan amerikanët dhe europianët e Natos. Nuk e çliruan shqiptarët, as nuk do ta çlironin shqiptarët edhe sikur të rrinim edhe 80 vjet të pushtuar. Shqiptarët mund të faroheshin krejt, por nuk e çlironin dot se çlirimi nuk është këngë e flamur në shpinë.
Tallavapatriotizmi e kapja pas gjetheve vazhdon me furi. Por minutat kalojnë. Në gjykatën e apelit nuk pi ujë asgjë veç argumenteve juridikë e ligjorë.
Në vendet demokratike nuk pi ujë presioni i sheshit a i udhës ndaj gjykatës. Pi ujë argumenti. Gjykata që merr një vendim është nën vëzhgim e presion të rreptë juridik nga gjykata më e lartë. Dhe nuk pyet gjykata për turma brohoritëse.
Juristët shqiptarë që japin leksione në Fb nuk janë më të aftë e të zotët se trupa e gjykatës speciale në Hagë, mos të nxijnë kot letra e faqe fb.
Çdo minutë kohë e humbur në tallavaprotestë, në ekrane, në emisione është për vota e pushtet, nuk është asnjë gram ndihmë për 4 të dënuarit e shkallës së parë.
Edhe gazetarë mercenarë që para ca vitesh e mallkonin pushtetin e të dënuarve të shkallës së parë, po të mos paguhen sot sërish do t’i godisnin të akuzuarit.
Ata që mbajnë njerzit pezull me rrena e mashtrime në ekrane e protesta nuk po ndihmojnë të akuzuatit por po kërkojnë pushtet për vete.
Të akuzuarit ndihmohen veç nga avokatë të fuqishëm që të mos dënohen pa fakte. Asgjë e askush tjetër nuk u vlen atyre që janë në Hagë.
Protestuesit e sheshit nuk janë sjellës të lirisë as pavarësisë.
Para gjykatës edhe presidenti i Amerikës nuk ka çfarë bën. Shyqyr që gjykata nuk ka mendt e turmës.
