TË FUNDIT

Këta janë tre gjyqtarët që do të vendosin për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin – i katërti është rezervë

Më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shqiptojnë aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas një procesi shumëvjeçar dhe 234 ditëve gjykimi në sallë, vendimi do të merret nga tre gjyqtarët e Trupit Gjykues II: amerikani Charles L. Smith III, gjermani Christoph Barthe dhe zvicerani Guénaël Mettraux.

Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është pjesë e panelit në cilësinë e gjyqtarit rezervë. Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, gjyqtari rezervë nuk voton dhe nuk jep mendim për vendimet e panelit, përveç rastit kur caktohet për të zëvendësuar një nga gjyqtarët e rregullt.

Aktgjykimi merret me shumicën e tre gjyqtarëve. Në rast se nuk ka unanimitet, vendimit mund t’i bashkëngjitet edhe mendim i veçantë ose kundërshtues.

Charles L. Smith III – kryesues i panelit

ImageGjyqtari amerikan Charles L. Smith IIFoto galeri
Gjyqtari amerikan Charles L. Smith III është kryesues i Trupit Gjykues II dhe zëvendëspresident i Dhomave të Specializuara.

Smith ka një lidhje të mëhershme me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Nga viti 2010 deri më 2013 ka shërbyer si gjyqtar i EULEX-it, ndërsa nga viti 2011 deri më 2013 ishte edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Christoph Barthe – eksperti gjerman i krimeve të luftës

Christoph Barthe është jurist gjerman me përvojë të gjatë në të drejtën penale dhe ndërkombëtare.

ImageChristoph BartheFoto galeri
Ai ka shërbyer si prokuror pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë të Gjermanisë dhe është marrë me ndjekjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit.

Guénaël Mettraux – gjyqtari zviceran me përvojë ndërkombëtare

ImageGuénaël MettrauxFoto galeri
Guénaël Mettraux është jurist zviceran me përvojë të gjatë në të drejtën penale ndërkombëtare.

Ai ka punuar në raste para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalit Special për Libanin, Dhomave të Jashtëzakonshme në Kamboxhia dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Fergal Gaynor – gjyqtari rezervë

Irlandezi Fergal Gaynor është gjyqtari i katërt që ka ndjekur procesin, por në cilësinë e gjyqtarit rezervë.

ImageIrlandezi Fergal GaynorFoto galeri
Ai nuk merr pjesë në votimin për aktgjykimin, përveç nëse caktohet zyrtarisht për të zëvendësuar një nga gjyqtarët e rregullt.

Dhjetë pika të aktakuzës

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me dhjetë pika të aktakuzës.

Gjashtë prej tyre lidhen me pretendime për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Katër pika të tjera lidhen me pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm apo arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Procesi gjyqësor filloi më 3 prill 2023. Në sallën e gjyqit kanë dëshmuar gjithsej 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesi i viktimave dhe shtatë nga ekipet e mbrojtjes.

Vendimi më 16 shtator

Shqiptimi i aktgjykimit është caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00.

Tre gjyqtarët – Smith, Barthe dhe Mettraux – duhet të përcaktojnë për secilën pikë të aktakuzës dhe për secilin të akuzuar nëse Prokuroria e ka provuar fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm.

Vendimi është aktgjykim i shkallës së parë dhe mund të ankimohet para panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *