Me 62 vota për Kosova bëhet me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt
Kuvendi i Kosovës e ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.
LVV-ja ka 53 deputetë në Kuvend, por Qeveria e re u mbështet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë – tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe.
Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Deputetët e Listës Serbe morën pjesë dhe votuan kundër.
Përbërja e kabinetit qeveritar mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë së tretë të drejtuar nga Kurti.
Përbërja e kabinetit qeveritar “Kurti 4”
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re pasi që tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.
Kurti tha se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarve dhe mbrojtja e familjeve.
“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.
Ai premtoi gjithashtu investime të ndryshme kapitale, si për themelimin e një kompanie ajrore në pronësi publike dhe krijimin e një rrjeti të transportit publik në tërë vendin.
