“Marshi për Liri” ndez debat: Drejtësia vendoset në gjykatë, jo në rrugë
Saim Tahiraj ka komentuar marshin për liri që mbahet të shtunën, duke thënë se duhet pritur vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë dhe se drejtësia nuk vendoset përmes protestave në rrugë.
“Ditët po afrohen dhe Gjykata Speciale në Hagë shumë shpejt do ta japë vendimin përfundimtar për të dyshuarit që po gjykohen atje.
Gjykata Speciale është produkt i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Pse të mos presim me durim vendimin përfundimtar që do ta japë drejtësia e kësaj gjykate?
Çfarë janë të gjitha këto protesta dhe debate televizive që kanë në shënjestër Gjykatën Speciale, të cilën vetë e formuam në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë? Nëse vërtet kërkojmë drejtësi, ajo duhet të vendoset pikërisht nga kjo gjykatë, e cila është autorizuar për ta bërë këtë.
Drejtësia vendoset nga gjykatat që janë të specializuara për këtë punë dhe jo në rrugë. Andaj, duhet t’u besojmë institucioneve të drejtësisë.
Nëse vërtet jeni të bindur në pafajësinë e tyre, atëherë pse duhet të protestoni në rrugë dhe të mos prisni vendimin përfundimtar të Gjykatës Speciale në Hagë? Nëse mendoni se presioni përmes protestave në rrugë mund të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës Speciale, e keni shumë gabim, sepse ajo vepron e pavarur dhe nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë presioni”, u shpreh ai.
ImageSaim Tahiraj
Tahiraj ka vazhduar kritikat ndaj organizatorëve të marshit për liri, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe se rastet e vrasjeve politike nuk duhet të mbeten pa u zbardhur.
Ai ka kërkuar që Gjykata Speciale të lihet të punojë pa presion dhe që vendimi i saj përfundimtar të respektohet, pavarësisht se cili do të jetë ai.
“Ju që po kërkoni drejtësi në rrugë, pse nuk e bëtë këtë edhe atëherë kur ndodhën gjithë ato vrasje politike të personaliteteve të njohura politike, ushtarake dhe policore, të cilët ishin pjesë e LDK-së dhe institucioneve shtetërore që i kishte ndërtuar LDK-ja, së bashku me partitë e tjera politike, partnere të saj?
Nuk ka drejtësi selektive, siç po e kërkoni ju në rrugë. Ka vetëm drejtësi të barabartë për të gjithë, e cila vendoset në gjykatë dhe jo në rrugë
Nuk ka liri selektive, por liria duhet të jetë për të gjithë, edhe për ato familje të shumta të cilave iu vranë padrejtësisht anëtarët e tyre. Përderisa të mos zbulohen vrasësit dhe urdhërdhënësit e tyre, nuk mund të ketë liri të plotë për të gjithë.
Vetëm atëherë kur drejtësia të vendoset për të gjithë dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar, merr kuptim të plotë edhe slogani juaj: „Liria ka Emër“.
Prandaj, lëreni Gjykatën Speciale të punojë e qetë, larg presioneve dhe protestave në rrugë. Ta respektojmë vendimin përfundimtar të Gjykatës Speciale, cilido qoftë ai.
Drejtësia nuk vendoset në rrugë, por në institucionet e drejtësisë,” përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.
