TË FUNDIT

Ramazan Bekteshi: Apokalipsi i LDK-së

-Një parti, gjashtë sherre, zero përgjegjësi.

LDK-ja nuk po kalon më thjesht një krizë politike, por kalon nëpër një krizë identiteti, lidershipi dhe përgjegjësie. Një parti që dikur pretendonte të ishte institucioni i maturisë, demokracisë dhe shtetformimit, sot po i ngjan gjithnjë e më shumë një shtëpie me plot halle ku të gjithë kërkojnë çelësin, por askush nuk pranon se kush ia vuri shulin derës.

Gjashtë sherre, gjashtë versione të së vërtetës dhe një elektorat i rraskapitur me disfata të njëpasnjëshme dhe, mbi të gjitha, një mungesë e habitshme e përgjegjësisë nga ata që e konsiderojnë veten “akademikë”. Fatkeqësisht, njëri nga ta, edhe si humbës i madh në zgjedhje të partisë e në zgjedhje të përgjithshme, ka guxim të emërojë kryetar partie e kryeministra, por duke e lënë veten jashtë, sepse i mungon guximi qytetar. Njeriu me fytyrë të fëmijës së pafajshëm, por që brenda fshihen plot sherre e iluzione, ai sërish ka shpresë se Grenell do t’i kthejë në pushtet.

Gjashtëneqtë e Grenellit, në vend që të pyesin se çfarë i duhet Kosovës, ata po punojnë se kush do ta marrë kontrollin në Kosovë pa përfillur rregullat partiake, parlamentare e shtetërore, dhe kush do ta drejtojë partinë, kush do të negociojë dhe kush do të mbetet jashtë skenës politike. Ky grup e ka humbur fokusin nga programi te kontrolli, dhe fillon të sillet si një klub i mbyllur, jo si një forcë politike që kërkon të ndihmojë shtetin, por ta bllokojë partinë dhe shtetin.

Lumiri s’është pa gabime, mirëpo gjashtëneqve të Grenellit u dha leksion dy herë, ai i mundi keq grupin e sherrit në mënyrë demokratike. Mirëpo grupi i sherrit i sheh si armik edhe shumicën në LDK, edhe shumicën në parlament, por s’e sheh si problem LS-në, siç pohojnë me gojën e tyre.

Nëse LDK nuk toleron debat brenda vetes, nuk mund të shesë demokraci jashtë saj, dhe e lus ‘grupin’ e Grenellit të shikojë veten para pasqyrës e jo pas pasqyrës, duke pritur të shfaqet miku i tyre që i inspiron që të veprojnë si ‘kamikaz’.

LDK-ja e ka një histori të madhe, por historia nuk është pronë private e askujt dhe s’duhet të krijohen sherre si tani me këtë grup se kujt i takon trashëgimia e LDK-së. Asnjë grup në LDK nuk ka legjitimitet ta përdorë personalitetin e Rugovës si dekor sa herë u duhet, sepse trashëgimia e tij kërkon përgjegjësi e jo nostalgji, andaj kushdo që e përmend Rugovën, duhet të jetë i gatshëm të mbajë edhe peshën e standardeve që ai përfaqësonte.

Andaj i themi këtij grupi se të jesh në opozitë nuk është thjesht të thuash “jo” për çdo gjë, por opozitë e mirëfilltë është të tregosh se mund të bësh më të mirën për shtetin para interesit të grupit. Nëse LDK e harxhon gjithë energjinë e saj duke luftuar kundër njëri-tjetrit, ndërsa harron të ndërtojë alternativën e saj, atëherë problemi nuk është vetëm se kush është në pushtet, por problem është se ajo ka filluar të shthuret. Parullat si kjo: “Unë jam vetëm një LDK-ist i betuar e i përjetshëm” shndërrohen në një farsë mashtruese.

Drama e madhe në një parti fillon: Kur gjërat shkojnë keq, fajin e ka një parti tjetër, kur rezultatet janë të dobëta e fajin e ka kanë mërgimtarët, kur elektorati largohet, fajin e ka votuesi, kur partia përçahet, fajin e kanë kundërshtarët.

Një parti serioze si LDK-ja duhet të ketë guximin të thotë: “Po, kemi gabuar, po, kemi përgjegjësi, dhe po, duhet të ndryshojmë.”

Pa këtë kuraje, çdo kuvend do të ishte vetëm një tjetër raund i të njëjtit sherr. LDK-ja nuk mund të jetojë pafundësisht me lavdinë e së kaluarës dhe frikën nga e ardhmja nga të vetët apo kundërshtarët politikë.

Kosova ka nevojë për një pozitë e opozitë të shëndoshë që mendon për ekonominë, drejtësinë, arsimin, sigurinë, marrëdhëniet me aleatët dhe zhvillimin e shtetit.

Apokalipsi i LDK-së është se ka pak mendime, por ka shumë sherre dhe shumë pak përgjegjësi. Në LDK nuk është se ka shumë figura, por ka shumë ambicie dhe shumë pak vizion të përbashkët, nuk është se ka shumë kritikë, por se ka shumë frikë nga kritika.

LDK-ja nuk ka nevojë për një tjetër betejë të brendshme për të provuar se kush është më i fortë. Ka nevojë për një arsye të re që qytetarët ta besojnë. Sepse qytetarët nuk votojnë për të parë se kush fiton sherrin në zyrë, qytetarët votojnë për të parë kush mund ta fitojë të ardhmen e Kosovës.

Dhe nëse LDK-ja vazhdon të sillet sikur armiku i saj kryesor është vetvetja, atëherë apokalipsi nuk do të jetë një metaforë, por, një paralajmërim.

Një parti, gjashtë sherre, zero përgjegjësi, dhe një elektorat që me plot të drejtë po pyet: “A ka ende shpirt LDK-ja e famshme e Rugovës?”

P.S. LDK-ja ka qenë buzë përçarjeve edhe në kohën e Rugovës dhe Aganit, por atëherë udhëheqësit e saj nuk tregoheshin egoistë, edhe pse nën okupim LDK-në e ngritën si feniksi udhëheqësit vizionar dhe nuk e lanë të zhdukej, por krijuan një kulturë të mbijetesës me një sistem paralel te rezistencës pasive, internacionalizimit të çështjes, dhe me një diplomaci masive veçanërisht në SHBA që përmbylli pavarësinë edhe me UÇK-në e lavdishme dhe faktorin ndërkombëtar në krye me SHBA-të. LDK i duhet Kosovës të jetë përball proceseve e reformuar dhe assesi më e dobët se tani.

Ramazan Bekteshi, ish-kryetar i Degës se LDK-se, Çikago, Illinois (1990-95) dhe Koordinator i Degëve të LDK-së për Amerikë e Kanada (1992-2000).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *