TË FUNDIT

“Kosova të mos e lejojë lirshëm”, Gjinovci kërkon non-grata për Patriarkun Porfirije

Aktivisti Rron Gjinovci ka kërkuar që Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, të shpallet person non-grata në Kosovë, pas deklaratave të tij për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiq.

Në një postim, Gjinovci ka kritikuar deklaratat e Porfirijes gjatë varrimit të Mladiqit, duke thënë se ai nuk duhet të lejohet të veprojë lirshëm në territorin e Kosovës.

“Porfirije (patriarku i kishës serbe) duhet me u shpallë non-grata për madhnimin e kriminelit Ratko Mladić. Kosova nuk duhet me leju që ata që promovojmë gjenocidin me vepru lirshëm në territorin e vet”, ka shkruar Gjinovci.

Gjinovci i është referuar deklaratave të Porfirijes gjatë ceremonisë së varrimit, ku patriarku serb kishte thënë se emri i Mladiqit do të mbetej në kujtesën dhe lutjet e një pjese të madhe të popullit serb dhe ortodoks.

Porfirije kishte deklaruar gjithashtu se populli serb ushqen “mirënjohje të thellë” ndaj Mladiqit, duke e përshkruar atë si ushtar dhe komandant që, sipas tij, kishte qëndruar në krye të ushtrisë së popullit serb në një periudhë të vështirë.

Mladiq është dënuar me burgim të përjetshëm nga mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *