TË FUNDIT

Një kujtesë për deputetët: Shqiptaria gjykohet nga veprat e jo nga fjalët!

Më 2 shtator 2026, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kapur fort te tesera dhe votat e LDK-së, deklaroi jo krejt pa të drejtë se “…votuesit nuk na kanë votue me ia zgjat jetën në pushtet Albin Kurtit…!” Ama, “harroi” apo “nuk deshi të kujtonte” edhe se votuesit ldk-istë, në pakësim nga zgjedhja në zgjedhje, në rreth 17% vota e 18 mandate deputetësh në fillim qershor 2026, nuk e kanë votue Hykmeten me tufën e paktë të deputetëve të tjerë as me shkatërrue normalitetin e funksionimit të qeverisjes dhe shtetit të Kosovës, siç dëshirojnë dhe financojnë bujarisht edhe në Prishtinë, edhe brenda parlamentit të Kosovës, qeveria dhe shteti i Serbisë…!!! Apo, siç duan dhe ndihmojnë Vuçiqin edhe miqtë apo aleatët e tij në Beograd, Shkup, Podgoricë, Athinë, Moskë, Minsk, Kiev, Pekin, Phenian, Tiranë…! Lidhur me këtë tufë të madhe armiqsh ndaj Kosovës, Hykmete Bajrami dhe shoqet e shokët e saj në partitë e tjera shqiptare të opozitës bëjnë mirë të kujtojnë edhe paralajmërimin e George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe Sekretar për Mbrojtjen i Britanisë së Madhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë, 1998-1999, se “përveç Serbisë, Kosova ka edhe disa armiq të tjerë, që janë për kufizimin e Kosovës dhe rikthimin e saj në pozicionin e saj historik si pjesë e Jugosllavisë së vjetër…”! Nga ky fakt për partitë shqiptare të opozitës në Kosovë dhe deputetët e tyre del lehtësisht mesazhi se, duke iu kundërvënë LVV-së dhe Albin Kurtit me xhelozi, ligësi dhe inat shqiptarësh, shumica padashje, radhiten përkrah këtyre armiqve të vjetër, që i bashkon, së pari, urrejtja ndaj Kosovës dhe banorëve të saj autoktonë shqiptarë! Pastaj, një qëllim i moçëm, për të ndalur e bllokuar apo për të zhvleftësuar pavarësimin, shtetësinë dhe integrimin e plotë të saj në të gjitha institucionet më me hapësirë dhe peshë politike, ekonomike, ushtarake… në botë!

Abdullah Hoti ia fut koti…

Një ditë më vonë, në një linjë mendimi dhe shprehjeje me Hykmeten, u shpreh edhe deputeti Abdullah Hoti. Sipas deklaratës së tij të pamenduar thellë dhe tendencioze, jo vetëm politikisht, si prej një studenti dhe jo politikani tashmë me vjetërsi angazhimi në politikë, “kandidatura e Bekim Sejdiut nuk plotëson interesat e LDK-së…”!? Me këtë deklaratë Hoti jep me bollëk arsye të mendohet se ka folur ose nxitimthi, ose jo me mendtë e veta, ose sa me la gojën, apo fare koti…! Ai duhet ta dijë dhe ta ketë të qartë se asnjë president, kryeministër, ministër… nuk mund të ketë jo 100%, por as deri në 75% pëlqyeshmërinë, mbështetjen, votat e partisë së vet e të të gjithë elektoratit. Edhe vetë Abdullah Hoti, kur u zgjodh kryeministër më 2020-2021, nuk kishte shumicën e votave dhe nuk plotësonte maksimalisht interesat e shumicës së zgjedhësve! Kështu, Abdullahu dhuron vetë arsye të mendohet se është viktimë e “virusit” të dy standardësisë. Ai kërkon plotësim maksimal të interesave të tij individuale dhe partiake tek kundërshtarët e jo tek vetvetja, tek grupi i tij politik e parlamentar dhe tek partia e tij!? Kjo dy standardësi shprehet edhe në dukurinë që, ndërsa qeverisë Kurti i vë mbi kurriz apo lë në derë edhe gabime, veprime të dëmshme e të rrezikshme, mosrealizime… të qeverive të periudhës 1999-2021, domethënë edhe të qeverisë së vet, Hoti, në të kundërtën, përpiqet që t’i minimizojë “mëkatet e shumta” të tij e të qeverive paraardhëse. Ai ka kujtesë të fortë, por “çuditërisht” bën sikur “i ka harruar” Marrëveshjet e Normalizimit Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të njohura gjithashtu si Marrëveshjet e Uashingtonit. Këto janë dy dokumente të ndara, njëri prej të cilëve u nënshkrua nga Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti, dhe tjetri nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë në Washington D.C., në prani të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump!? Është për të theksuar se të dyja këto marrëveshje nuk janë respektuar dhe zbatuar nga Beogradi qeveritar dhe shtetëror!

Pra, edhe Hykmetja, edhe Abdullah Hoti, edhe Isa Mustafa, edhe Ramush Haradinaj, edhe Vlora Çitaku, edhe Alban Gashi… reklamojnë vetet si engjëj dhe kundërshtarët në LVV si djaj apo demonë të së keqes për Kosovën, kur në të vërtetë me vepra, këta ia kanë rrëmbyer Serbisë “dhuratat” që u kanë bërë ata, “çlirimtarët”, gjatë viteve 1999-2021. Me këtë shqiptari, korrigjim, drejtësi… Albin Kurti dhe qeveritë e tij “fituan” zemërimin, urrejtjen dhe hakmarrjen e Vuçiqit e të Serbisë së tij, si dhe të mikut apo “çirakut” të tij, Richad Grenellit.

Duke përdorur një dozë fantazimi dhe sarkazme: ndoshta në Beograd po qarkullon informacioni, akoma i pakonfirmuar publikisht e në media, se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i emocionuar së tepërmi nga “revolta” ndaj marrëveshjes së kryetarit të tyre, Lumir Abdixhiku, me kryeministrin Albin Kurti, kuptohet, jo e papritur, ka urdhëruar që gjashtë anëtarët dhe deputetët e LDK-së, që i janë kundërvënë edhe vendimit të kryesisë së partisë së tyre, të pajisen me tesera të anëtarëve të SNS (Partia Progresive Serbe), si dhe të nderohen me titullin e njëjtë me Grenell, “Urdhrin e Flamurit të Serbisë”!? Sipas tij, me këtë akt këta 6 deputetë shqiptarë kanë bërë në mes të Prishtinës një vepër në të mirë të Serbisë, që nuk do ta bënin as 60 deputetë serbë bio e denbabaden! Kurse miku i madh i Vuçiqit dhe i Serbisë, Richard Grenell, duke abuzuar me qenien shtetas amerikan, nxiton t’i përgëzojë dhe vlerësojë lart 6 ldk-istët për këtë akt të ri në të keq të Kosovës e në të mirë të Serbisë!?

Fatmirësisht, prej kohësh, nga ai vetë, ashtu si edhe nga miqtë e tij Baton Haxhiu dhe Berat Buzhala, është bërë e kuptueshme se edhe Richard Grenell i lëshon si bajgat deklaratat në mbështetje të Serbisë e në dëm të Kosovës, vetëm për të bërë detyrën për të cilën paguhet shtrenjtë nga Beogradi politik, qeveritar dhe shtetëror! Mbështetja e 6 deputetëve bojkotues apo bllokues të marrëveshjes edhe nga Isa Mustafa shtyn shumëkënd që e njeh mirë atë si kuadër drejtues dhe politik qysh nga koha e ish-Jugosllavisë, të dyshojë se mos ai mund të jetë “frymëzuesi”, “mentori e këshilluesi” i qëndrimit të LDK-së ndaj kësaj krize politike rreth 20-mujore në Kosovë dhe i grupit bllokues të 6 deputetëve të LDK-së???!!! Sepse, ai mund të ketë “nostalgji të vjetra” nga bashkëpunimi me “vëllezërit jugosllavë dhe serbë”!?

Ndërsa shpirti i Ibrahim Rugovës në Parajsë po turfullon nga zhgënjimi dhe zemërimi se sa shumë po turpërohet dhe dëmtohet LDK-ja e tij nga anëtarë dhe deputetë të këtij “mielli” dhe pozicionimi, si dhe nëpërmjet saj, edhe Kosova…! Njëherazi, me shpresë në vakje e mpakje se procesin e batonhaxhijizimit, beratbuzhalizimit, grenellizimit… do ta ndalin me vendosmëri e sukses Lumir Abdixhiku dhe grupi i anëtarëve të kryesisë dhe të deputetëve në një mendje dhe qëndrim me atë, mbështetur edhe nga shumica e anëtarëve të thjeshtë, RUGOVISTË IDEALISTË, të sinqertë, me vepra e jo me fjalë, si gjashtja e bllokuesve të marrëveshjes LVV-LDK për kandidaturën si president të Bekim Sejdiut…! Lënia e Kosovës 20 muaj në krizë politike dhe institucionale, rreth 5 muaj pa president…, më shumë se ia pret apo pakëson ndjeshëm LVV-së dhe Albin Kurtit, çon ujë shumë më tepër në mullirin e Aleksandar Vuçiqit dhe të Serbisë së tij. Sepse, nëpërmjet veprimeve bojkotuese dhe bllokuese të shumicës së kryesive të partive shqiptare të opozitës përcjell mesazhin e Pashiqit, Çubriloviçit, Titos, Milosheviçit, Vuçiqit dhe viçave të tjerë poshtë e në krahë të tyre…, për papjekurinë, paaftësinë dhe pamundësinë e klasës politike shqiptare të Kosovës për qeverisje të mëvetësishme, pa tutelën, kujdestarinë, konsulencën e Serbisë!

Më 2018, ndërsa ishte president i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur mbështetës i flaktë i ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe i bujarisë së qeverisë shqiptare të Prishtinës për t’i bërë Serbisë dhurata ca copa territori nga Veriu, saktësisht pjesë të Leposaviqit, Leshakut dhe të Zubin Potokut…!? Nuk arriti t’ia jepte zyrtarisht as ai e as Abdullah Hoti më 2020-2021, por me nivelin e lartë të të lirive dhe të drejtave, si dhe të vetëqeverisjes, komunat me shumicë serbe në Veri ishin de facto më shumë në lidhje e vartësi me Beogradin sesa me Prishtinën. Këtë realitet absurd e përmbysi Albin Kurti, sidomos më 2024-2025… Për këtë “mëkat” e për hakmarrje, Vuçiqi dhe qeveria serbe, nëpërmjet partive shqiptare opozitare, ndezi krizën politike në Kosovë, duke e çuar në tre fushata zgjedhore!? Prej kohësh Beogradi, edhe me mbështetje nga tufa shqiptarësh, po bën gjithçka që flakët dhe prushi i kësaj krize të investuar në Beograd të djegin, së pari, qeverinë Kurti e nëpërmjet saj edhe Kosovën, si shtet e qeverisje me integritet dhe normalitet funksional të pacenueshëm.

Të mirëkuptohemi: aktorët kryesorë të kësaj krize nuk janë treguar aq të pakujdesshëm sa të lënë marrëveshje me shkrim e me firma, për rrëzimin me çdo rrugë, kusht, çmim e faturë të qeverisë Kurti, jo pa gabime dhe mosrealizime dhe jo krejt e pakritikueshme. Por, analiza deduktive e veprimeve të tyre në sallën e Kuvendit të Kosovës, si dhe e deklaratave nga Vuçiq, Vulin, Gjuriç, Grenell, të shtyn të mendosh dhe dyshosh për ekzistencën e një marrëveshjeje, qoftë edhe pa tekst të shkruar e të firmosur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *