TË FUNDIT

Kandidatura e Bekim Sejdiut test për Abdixhikun, sa e bashkuar është LDK-ja?

Ky dakordim është vlerësuar si një hap pozitiv pas një periudhe të gjatë të krizës dhe bllokadës institucionale. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse marrëveshja do të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit.

LVV dhe LDK së bashku kanë 71 deputetë, ndërsa për zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e para nevojiten 80 vota. Në këtë proces, rol të rëndësishëm pritet të kenë edhe deputetët e komuniteteve joshumicë, të cilët kanë shprehur mbështetje për Sejdiun.

Në anën tjetër, marrëveshja nuk ka marrë mbështetjen e të gjitha partive. Deri tani, kundërshtimin publik brenda LDK-së e ka shprehur deputeti dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Po ashtu, PDK-ja ka bërë të qartë se nuk do ta votojë kandidaturën e Sejdiut. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk është pjesë e marrëveshjes dhe nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj.

Edhe AAK-ja ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka theksuar se partia e tij nuk e sheh veten të obliguar nga marrëveshjet e arritura mes partive të tjera politike, duke rikujtuar se qëndrimi i AAK-së është i qartë që nga 7 qershori.

Kështu, përkundër marrëveshjes LVV-LDK dhe mbështetjes së disa përfaqësuesve të komuniteteve, sigurimi i votave të nevojshme për zgjedhjen e Bekim Sejdiut mbetet sfida kryesore e këtij procesi.

Jakupi: Testi më i madh politik është për Lumir Abdixhikun

Analisti politik, Zejnullah Jakupi vlerëson se kundërshtimet ndaj Bekim Sejdiut nuk lidhen vetëm me figurën e tij, por edhe me përplasjet brenda LDK-së dhe marrëveshjen politike me Vetëvendosjen. Sipas tij, Sejdiu është bërë simbol i këtij orientimi politik.

ImageZejnullah JakupiFoto galeri
“Kandidatura e Bekim Sejdiut për President duhet të shihet përtej emrit të kandidatit. Ajo është bërë pjesë e një përplasjeje më të gjerë politike, si brenda LDK-së, ashtu edhe në raport me marrëdhëniet ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Nga ajo që po shohim, kundërshtimet brenda LDK-së nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me figurën e Bekim Sejdiut. Aty ka edhe një dimension të qartë politik: një pjesë e LDK-së nuk pajtohet me kursin që po ndjek Lumir Abdixhiku dhe, mbi të gjitha, me marrëveshjen politike me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

Prandaj Sejdiu, në njëfarë mënyre, është shndërruar në simbol të kësaj marrëveshjeje. Për një pjesë të kundërshtarëve të Abdixhikut, çështja nuk është vetëm nëse Sejdiu është apo nuk është kandidat i përshtatshëm për President, por nëse LDK-ja duhet të bëhet pjesë e një zgjidhjeje politike që i krijon Kurtit mundësi për të udhëhequr qeverinë.

Kjo është arsyeja pse mendoj se duhet të bëjmë dallimin ndërmjet kundërshtimit personal ndaj kandidatit dhe kundërshtimit ndaj orientimit politik të LDK-së”, nënvizon ai.

Ai shpjegon se në planin parlamentar, zgjedhja e Bekim Sejdiut varet kryesisht nga uniteti i LDK-së dhe mbështetja e komuniteteve, duke shtuar se PDK-ja dhe opozita mund të ndikojnë procesin përmes votimit ose bojkotit, ndërsa raundi i tretë mund ta bëjë zgjedhjen më të lehtë për Vetëvendosjen.

Derisa, Jakupi thotë se testi kryesor mbetet aftësia e Lumir Abdixhikut për ta mbajtur LDK-në të bashkuar.

“Në planin parlamentar, matematika është shumë e qartë. Vetëvendosja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18, pra së bashku kanë 71. Për zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e para nevojiten 80 vota. Kjo do të thotë se marrëveshja VV–LDK nuk mjafton vetë dhe se komunitetet kanë rol vendimtar.

Nëse LDK-ja del relativisht e bashkuar dhe sjell shumicën e 18 deputetëve të saj, atëherë zgjedhja e Sejdiut bëhet e realizueshme me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve.

Por nëse brenda LDK-së kemi një numër të konsiderueshëm deputetësh që votojnë kundër ose nuk marrin pjesë në proces, atëherë matematika bëhet shumë më e vështirë. Për shembull, nëse katër deputetë të LDK-së nuk e mbështesin kandidatin, VV dhe LDK do të kishin 67 vota dhe do të duheshin edhe 13 vota nga komunitetet për të arritur 80.

Këtu qëndron edhe rëndësia e qëndrimit të opozitës. PDK-ja, me 22 deputetë, ka një peshë të madhe në këtë proces. Opozita nuk ka nevojë domosdoshmërisht ta votojë Sejdiun për ta ndikuar procesin; edhe mungesa apo moskrijimi i kuorumit në dy raundet e para mund të jetë një instrument politik.

Por ekziston edhe një paradoks. Nëse procesi shkon në raundin e tretë, atëherë nevojiten 61 vota. Vetë Vetëvendosja ka 53 deputetë. Pra, teorikisht, në raundin e tretë nevojiten vetëm edhe tetë vota shtesë.

Kjo do të thotë se një strategji e opozitës që synon vetëm bojkotin mund të mos jetë domosdoshmërisht e mjaftueshme për ta penguar zgjedhjen e Presidentit.

Në këtë situatë, testi më i madh politik është për Lumir Abdixhikun. Nëse ai arrin ta mbajë shumicën e Grupit Parlamentar të LDK-së të bashkuar rreth marrëveshjes, ai do të dëshmojë se e kontrollon politikisht partinë dhe se LDK-ja mund të jetë faktor vendimmarrës edhe përballë një force shumë më të madhe si Vetëvendosja” – shpjegon ai për “Bota sot”.

“Nëse, ndërkaq, një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të LDK-së refuzojnë marrëveshjen, atëherë çështja kalon nga kandidatura e Bekim Sejdiut në një krizë të autoritetit të kryetarit të LDK-së” .

Jakupi e sheh procesin si një betejë të dyfishtë: për zgjedhjen e Presidentit dhe për orientimin e ardhshëm të LDK-së.

Sipas tij, sfida kryesore është aftësia e Lumir Abdixhikut për ta ruajtur unitetin e partisë, ndërsa kandidatura e Sejdiut mund të shndërrohet në pikënisje të një përplasjeje më të madhe brenda LDK-së.

“Prandaj unë do ta shihja këtë proces si një betejë në dy nivele: në nivel institucional është beteja për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa në nivel partiak është beteja për orientimin e ardhshëm të LDK-së.

Sa i përket pretendimeve se krahu që kundërshton Abdixhikun është i ndikuar nga PDK-ja, këtu duhet të them se dosido ka përputhje interesash politike ose për një konvergjencë objektive me interesat e PDK-së, edhese nuk ekziston koordinim formal.

Në fund, pyetja kryesore nuk është vetëm “a do të zgjidhet Bekim Sejdiu President?”. Pyetja më e madhe është: a do të arrijë Lumir Abdixhiku ta mbajë LDK-në të bashkuar dhe ta përdorë marrëveshjen me Vetëvendosjen për ta rikthyer LDK-në në qendër të vendimmarrjes politike?

Nëse përgjigjja është po, marrëveshja me Kurtin mund të jetë një fitore politike për Abdixhikun. Nëse jo, atëherë kandidatura e Sejdiut mund të bëhet vetëm pika e parë e një përplasjeje shumë më të madhe për të ardhmen dhe drejtimin e LDK-së” – përfundoi ai.

Makolli: Kundërshtimi i disa deputetëve të LDK-së nuk ka të bëjë vetëm me aspektin personal të kandidatit, por lidhet edhe me raportet ndërmjet dy partive

Kurse, analisti politik, Vesel Makolli në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka kritikuar situatën në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “teatër” me pasoja serioze për vendin.

ImageVesel MakolliFoto galeri
Ai ka ngritur pikëpyetje për zgjatjen e krizës institucionale dhe ka kritikuar Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin për, sipas tij, mungesën e angazhimit të mjaftueshëm për tejkalimin e përçarjeve brenda LDK-së.

“Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një teatër, ku, nën regjinë e partisë që ka fituar mbi 50% të vendeve të deputetëve, rast ky i paprecedent në historinë tonë parlamentare, po organizohen shfaqje tragjikomike, me pasoja serioze për shtetësinë e Kosovës.

Por pyetja që shtrohet është: pse u desh të zgjatej kaq shumë kjo situatë, deri në pikën ku veprimet institucionale fillojnë të prekin edhe kufijtë e shkeljeve kushtetuese?

Dihet botërisht se në LDK ka përçarje. Në këtë kontekst, është e habitshme që Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani nuk janë angazhuar më fuqishëm për tejkalimin e problemeve dhe për arritjen e unitetit brenda grupit të tyre parlamentar. Në një situatë kaq të ndjeshme, përgjegjësia politike kërkon dialog, sqarim dhe përpjekje serioze për të shmangur përçarjet që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e institucioneve” , ka thënë ai.

Ai thotë se kandidatura e Bekim Sejdiut për president po kundërshtohet nga disa deputetë të LDK-së, të cilët e konsiderojnë jo-konsensual dhe të lidhur me vullnetin e shumicës.

Andaj edhe kritikat lidhen edhe me mënyrën e veprimit të Vetëvendosjes dhe me rrezikun e vazhdimit të krizës institucionale dhe zgjedhjeve të reja.

“Po ashtu, është nonsens mënyra se si po vepron kandidati i tyre për president, z. Bekim Sejdiu. Si një personalitet me background profesional në fushën juridike dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai do të duhej ta merrte shumë më seriozisht shkeljen kushtetuese të bërë nga Vetëvendosja, përmes zvarritjes së panevojshme të afateve dhe mungesës së sqarimeve të duhura me LDK-në, si kandidat i tyre. Në vend të kësaj, ai del në këtë “teatër të absurdit” dhe pranon t’i lërë të gjitha angazhimet e veta për t’i kontribuar Kosovës, pa e adresuar qartë problemin kushtetues dhe politik që ka sjellë këtë situatë.

Vetë mënyra e paraqitjes la të kuptohej qartë se nuk kemi të bëjmë me një kandidat që synon bashkimin e forcave politike në Kuvend, por me një kandidaturë të lidhur ngushtë me vullnetin e shumicës.

Mbledhja e sotshme e Kryesisë së LDK-së do të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve ose, në të kundërtën, për vazhdimin e ciklit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kundërshtimi i disa deputetëve të LDK-së nuk ka të bëjë vetëm me aspektin personal të kandidatit, por lidhet edhe me raportet ndërmjet dy partive. Kjo kandidaturë nuk është konsensuale në plotëkuptimin e fjalës dhe nuk pasqyron interesat politike e parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të elektoratit të saj”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *