POLITIKATË FUNDIT

Xhevat Mustafa: Kush ka interes që protestat e Tiranës të zgjasin si ato të Beogradit?

Pas 80 ditë protestash në Tiranë, me pjesëmarrje masive, më së tepërmi nga njerëz të zakonshëm, të mashtruar, vjedhur, zhgënjyer, lodhur, depresuar…nga qeverisjet dhe premtimet e tyre të parealizueshme e të paturpshme, nuk është fare e vështirë të kuptohet se edhe ata të moshës së tretë kanë dalë për natë, edhe në mbrëmje korriku e gushti me të nxehtë saharian, për të shprehur ankesat dhe kërkesat e tyre individuale e familjare! Edhe pakënaqësinë, deri në revoltim ndaj korrupsionit të politikës dhe qeverisjes; ndaj abuzimeve me votat dhe postet, që u kanë dhënë ata me bindje ose symbyllur.

Njëherazi, për të protestuar për faktin e përjetueshëm dhe të shikueshëm edhe nga të verbrit plotësisht në të dy sytë se ata si pushtetarë, edhe brenda një mandati, janë bërë bosë edhe për multimiliona e për plot pushtete, ndërsa ata si qytetarë, përditë e më të papërfillshëm, më të largët, më të harruar si emra e fytyra; më të varfër…Shprehur edhe më troç, zemërimi i ushtrive të protestuesve buron nga shpirtrat, zemrat, mendjet e tyre…Prandaj nuk mund të shuhet lehtë e shpejt, nëpërmjet premtimeve të reja të gënjeshtërta, me farsa apo maskarada të reja politike. Ky zemërim nuk mund të shfrytëzohet as për lojëra në prapaskena, në kabinete dhe suita luksoze hotelesh sheikësh politikë dhe qeverisës.

Logjikshëm prej shumëkujt, pjesëmarrës i përnatshëm në protesta ose spektator me zemër, mund të shprehen publikisht një varg pyetjesh: cilët po luajnë me protestat tona dhe kanë hyrë mes nesh, për ti nxjerrë dhe ngrënë gështenjat apo misrat e pjekur, nëpërmjet duarve tona? Cilët kanë leverdi dhe mund të ndjehen fitimtarë që kjo protestë qytetare dhe popullore, të mos shkojë deri në fund, domethënë deri në FITORE…? Pas 81 ditë protestash janë shprehur qartësisht e SHQIP si dobitë e shumta të protestave të deritanishme, ashtu edhe çështje për të cilat kërkohen analiza, reflektime, korrigjime, përmirësime, kthesë për më mirë…Ndër risitë dhe sukseset mund vlerësohen masiviteti i ruajtur gjatë mbi 81 mbrëmjeve; rritja e reflektimit dhe ndërgjegjësimit demokratik dhe qytetar; vendosmëria në kërkesat…

Mes tyre mund të përmenden kërkesat për qeverisje shumë më të mirë, shumë më pak të korruptuar, shumë më tepër njerëzore dhe sociale; për shtet ligjor funksional…Qysh nga dita e parë dhe deri në të 81 ka mbetur si kërkesa e parë dhe kryesore, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa “nxjerrja jashtë lojës në sheshe dhe rrugë” të PD-së-Berisha, duke i lënë të mjaftohen e kënaqen me rolin e spektatorëve e të figurantëve, mund të mendohet se ka gëzuar më shumë Edi Ramën, Erion Veliajn, Linda Ballukun, Taulant Ballën…dhe miqtë e tyre, Xhorxh dhe Alex Soros, Yuri Kim, Grenell, Vuçiç, Netanjahu, Macron…Shprehur në mënyrë figurative, kjo fitore është si një thikë me dy presa. Gjatë këtyre rreth 81 ditëve, sidomos me ardhjen e Alex Sorosit dhe takimin me rreth 150 “kukulla” e “legjionarë” të tij si dhe me ushtrimin dhunës ndaj protestuesve prej skuadroneve të Tom Doshit, me “përvojë të pasur” qysh nga 21 janari 2011…, është shprehur e kuptuar se Edi Rama ka ndërruar strategji. Ai ka braktisur rolin e spektatorit dhe po bën gjithçka, në mos për “pushtimin”, për “shembjen e kalasë nga brenda”.

Kjo do të ishte gjëmë kombëtare, me rrjedhoja negative shumë dekadëshe. Por, edhe duke menduar organizimin e një 1997-te të dytë, me ndihmën e ish sigurimsave, oligarkëve, “investitorëve strategjikë” dhe trafikantëve shqiptarë e të huaj, patronazhistëve, sorosianëve, mosadistëve…nëse SPAK dhe GJKKO, me kokën e tyre, ose me urdhër nga jashtë e nga larg, mbi bazën e stivës së lartë me dosje korrupsioni, realizojnë arrestimin dhe largimin e tij nga pushteti!? Gjithashtu, jo vetëm “shtabit” të ushtrisë së protestuesve, por edhe shumicës së SHQIPTARËVE, duhet tu jetë krijuar bindja se Edi Rama, me çeta apo banda shumë flamurësh, nuk ikën vullnetarisht vetëm me protesta krejt paqësore! Prandaj u duhet të mendojnë dhe bëjnë shpejt ndryshime të ndjeshme përtëritëse në kryesinë, platformën, strategjinë dhe objektivat e protestave të tyre! Edhe të ndërgjegjësohen se FITORJA do t’u kërkojë jo pak lodhje e sakrifica, për të përmbushur objektivat! Ndër të parët, atë për një SHQIPËRI dhe QEVERISJE, shumë më të mirë se këto të 35 viteve e sidomos se këto të 13 viteve të mbretërimit me mandat e status kryeministri nga Edi Rama me Linda Ballukun dhe shoqe e shokë të tjerë të lloit e soit të tyre! Kjo do t’u kërkojë edhe që të flakin ambiciet për protagonizëm individual, paramendimin apo parallogarinë e pjesëmarrjes në protesta prej disave, sidomos mes krerëve dhe mikrofonistëve, që “kur të bëhet deti kos, të kapim ndonjë tender, leje ndërtimi, post…! Nënkuptohet, nga ato poste, nga të cilët rrjedh e pikon, sa me mbush fërgona e kamiona me thasë me miliona!”

Të mirëkuptohemi apo të flasim SHQIP dhe jo edramisht: këto protesta nuk kishin qysh në ideim dhe startim e nuk kanë as deri sot, në ditën e 81 e në vazhdim, si qëllim dhe kërkesë mbylljen apo djegien e mundësive për investime të pastra e të ligjshme nga SHBA e nga familja Jared Kushner dhe Trump, siç e propagandojnë me qëllim të lig e keqdashje kryeministri Rama dhe “kori” i tij partiak, qeveritar, mediatik, patronazhist…! As nuk janë antiturizëm elitar e publik, antikombëtare, antimirëqenie të përgjithshme…, siç i keqinterpretojnë opinionistët proqeveritarë!? Ato ishin e janë të frymëzuara apo nxitura më shumë nga dëshira dhe kërkesa për transparencë dhe sinqeritet të plotë si për investitorët e bërë të njohur, ashtu edhe për ata partnerë, shumica me origjina dhe cv plot njolla ligjore e dyshime për mungesë pastërtie pasurish. Njëherazi, kanë si objektiv edhe ruajtjen e pasurive natyrore dhe të mjedisit në Zvërnec, Nartë, Sazan, Tragjas…! Viktima të afro 82 vitesh premtimesh të parealizuara apo mashtrimesh të përjetuara, nga politikanët dhe pushtetarët më të lartë, me plot arsye e të drejtë, protestuesit donin e duan të dinë më me shumë saktësi dhe transparencë edhe për të mirat që do të ketë Vlora dhe gjithë Shqipëria nga projektet në këtë zonë, perlë natyrore dhe me shanse të mëdha për turizëm elitar…! Siç është shprehur dhe kuptuar, sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit, investimet e huaja me fatura të gënjeshtërta e të shumëfishuara, nga pak miliona në disa miliarda, kanë qenë e janë më tepër për konsum dhe efekt propagandistik dhe mashtrues.

Këtë e kanë shprehur si shmangia e shumicës së tyre nga detyrimet fiskale apo tatimore(rreth 4000-5000 më 2024), ashtu edhe ndikimi i tyre pothuajse i pandjeshëm në nivelin e punësimit, jetesës dhe mirëqenies së shumicës së shqiptarëve. ”! Si të tilla ato nuk kanë sjellë as uljen e fortë të emigracionit në moshat e reja, nga 20-50 vjeç, më së shumti, me diploma universitetesh në Shqipëri e vende të tjerë…! Kështu është kuptuar dhe shprehur se komplekset e mëdha e moderne turistike, shumica me firmat e Edi Ramës dhe Linda Ballukut, në ndërtim dhe turizëm e jo në sektorë të mëdhenj prodhimi industrial, janë thjeshtë lavatriçe për pastrimin e miliardave nga prodhimi dhe tregtimi me tonelata i drograve! Apo, më troç: janë prodhime “Made in Aruba!? Prej tyre kanë përfituar dhe fitojnë vetëm bosët shqiptarë e ndërkombëtarë, me familje, klane, banda…Edhe një grusht njerëzish, që u shërbejnë si shërbëtorë, skllevër, si punonjës në drejtim, por edhe si roje, eskorta, vrasës me pagesë…!? Prej mbi 12 vitesh kryeministri Edi Rama, “viktimë” e vetes, misionit, shumë pushteteve dhe mbështetjes masive nga “populli i majtë”, ka treguar shpesh herë dhe qartësisht se fjalimet, shkrimet në gazeta e rrjete sociale, opinionet nëpër ekrane televizionesh, parullat, akuzat, të vërtetat, kundër atij si kryeministër e gjithë tufës së tij qeverisëse, i përjeton dhe vlerëson si ca pika shi apo kokrra breshëri! Ndërsa thirrjet për dorëheqje të vullnetshme i interpreton si lutje përgjëruese dhe si çështje në vartësi të dëshirës, vullnetit, interesave të tij të sotme dhe perspektive!?

Edhe të sigurisë së tij fizike, pasurore, pronësore deri në frymën e fundit!? Në mënyrë figurative, për trurin dhe sytë e tij, edhe protestat paqësore, të mëhershme nga PD e prej 81 ditësh nga një masë e madhe qytetarësh dhe populli, janë si manifestime popullore apo si shëtitje mbrëmësore! Edhe si dëshmi e ekzistencës reale të demokracisë që ka lejuar ai!? Ndoshta, atë mund ta shqetësojnë, trondisin seriozisht e ta rrëzojnë vetëm hetimet, veprimet dhe vendimet e SPAK, GJKKO, GJYKATËS KUSHTETUESE, GJYKATËS SË LARTË…Kuptohet, nëse këto institucione do të ndërgjegjësohen dhe do të veprojnë me pavarësi të plotë, me profesionalizëm dhe kurajë, sipas ligjeve dhe KUSHTETUTËS! Për fatin e mirë të institucioneve tona të drejtësisë, për Edi Ramën individualisht dhe si çift, së bashku me vëllain, Olsin dhe plot bashkëpunëtorë e miq të tij, freskuar me dosjet e Artur Shehut, Ilir Shtufit, Ermal Beqirajt…apo Zvërnec-Sazan-Nartës janë mbushur me dosje abuzimesh me fronin dhe kompetencat, me dosje korrupsioni apo pazaresh antiligjore dhe antikombëtare, jo vetëm kabinetet e tij në Kryeministri dhe në parti, por edhe “piramida familjare” në Surrel…! Ndërsa veprat dhe “kryeveprat” e tij gjenden lehtë në Ksamil, Sarandë, Himarë, Orikum- Karaburun, Sazan, Zvërnec, në qytetin e Vlorës, në Fier, Durrës(port e qytet), Elbasan, Tiranë, Velipojë, Rrjoll, Kelmend, Valbonë, Mat, Mirditë, Dibër…, në gjithë Shqipërinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *