“Metush Krasniqi ishte për Amerikën dhe Anglinë”, ambasadori Blerim Reka kujton dajën e tij
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka, ka kujtuar figurën e atdhetarit Metush Krasniqi, duke ndarë disa rrëfime familjare për qëndresën e tij gjatë burgosjeve nga regjimi serb.
Reka ka treguar se në familje flitej vazhdimisht për dajën e tij, Metush Krasniqin, ndërsa ka veçuar rrëfimet e gjyshes së tij, Hanumshahjes, e cila i tregonte për qëndrimin stoik të Krasniqit në burgjet serbe.
“Për dajën Metush flitej gjithnjë në familje. Sa herë që burgosej e tentonin ta thyenin. Motra e tij, gjyshja ime Hanumshahja, sa herë që shkoja në Ferizaj, më tregonte për qëndrimin e tij stoik nëpër kazamatet serbe”, ka shkruar Reka në ‘Facebook’.
Ai ka përmendur edhe një rrëfim të veprimtarit Adem Demaçi, i cili, sipas Rekës, e kishte veçuar orientimin politik të Metush Krasniqit.
“I madhi Adem Demaçi, më tregonte se për dallim nga shumica e lëvizjes me orientim të majtë, Metushi që atëherë ishte për Amerikën dhe Anglinë”, ka shkruar ai.
Në fund, Reka ka shprehur krenarinë për figurën e Metush Krasniqit, duke e cilësuar atë si atdhetar.
“Krenar me dajën, lavdi atdhetarit Metush Krasniqi!”, ka përfunduar Reka.
