TË FUNDIT

Zbulimi i pajisjeve ushtarake në Mitrovicë, ekspertët: Mund të jenë sinjal i një aktiviteti më të organizuar

Policia e Kosovës ka zbuluar veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një pusetë kanalizimi në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut, ndërsa rasti tashmë po hetohet për të sqaruar origjinën e tyre dhe rrethanat se si kanë përfunduar në këtë lokacion.

Rasti është evidentuar më 7 gusht, rreth orës 13:30, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri.

Sipas Policisë, zyrtarët kanë vërejtur një pusetë kanalizimi të hapur dhe, gjatë kontrollit, kanë gjetur një qese plastike të zezë, e cila ka ngritur dyshime.

Pas nxjerrjes së qeses, janë gjetur disa veshje dhe pajisje ushtarake, përfshirë pesë kapela ushtarake, dy gjoksore me vende për municion, një rrip ushtarak, çanta për karikatorë dhe radio-lidhje, dy çanta ushtarake për municion si dhe një palë doreza.

“Gjatë kontrollit të pusetit është vërejtur një qese plastike me ngjyrë të zezë, e cila ka ngritur dyshime te zyrtarët policorë. Pas nxjerrjes së saj janë gjetur disa veshje dhe pajisje ushtarake”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se duke pasur parasysh se raste të ngjashme janë evidentuar edhe më herët në këtë zonë, institucionet duhet të hetojnë nëse bëhet fjalë për raste të izoluara apo për një model më të gjerë.

Ata kërkojnë që të përcaktohet origjina e pajisjeve, mënyra e fshehjes dhe personat që mund të jenë të lidhur me to, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe qasje parandaluese.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet të nxirren përfundime të nxituara apo politike pa përfunduar hetimet.

Racaj: Rasti duhet të trajtohet me seriozitet, por pa panik

ImageProf. Dr. Muhamet RacajFoto galeri
Lidhur me këtë rast, Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral Major në pension, ka deklaruar për “Bota sot” se institucionet e sigurisë duhet ta trajtojnë me seriozitet të veçantë, duke paralajmëruar se rasti nuk duhet të shihet thjesht si një incident i izoluar.

“Zbulimi i veshjeve dhe pajisjeve ushtarake të fshehura në një pusetë kanalizimi në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut duhet të trajtohet me seriozitet të veçantë nga institucionet e sigurisë. Ky nuk duhet parë thjesht si një rast i izoluar, veçanërisht nëse kemi parasysh se në këtë zonë edhe më herët janë evidentuar raste të gjetjes së pajisjeve të ngjashme.

Nga këndvështrimi i sigurisë, fshehja e pajisjeve ushtarake në hapësira publike tregon se dikush ka pasur mundësi, motiv dhe planifikim për t’i ruajtur ato jashtë kontrollit institucional. Megjithatë, vetëm nga vendi i zbulimit nuk mund të konkludohet se për çfarë qëllimi janë përdorur apo nëse kanë qenë të destinuara për ndonjë aktivitet të paligjshëm. Këtë duhet ta përcaktojë hetimi profesional, përmes analizës së pajisjeve, gjurmëve kriminalistike, origjinës së tyre dhe lidhjeve të mundshme me persona apo grupe të caktuara”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Racaj ka theksuar se rasti duhet të shihet edhe në një kontekst më të gjerë të sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride dhe kriminalitetin e organizuar.

Ai ka nënvizuar nevojën që institucionet të shmangin përfundimet e nxituara përpara se të përfundojnë hetimet.

“Institucionet e sigurisë duhet ta trajtojnë këtë rast edhe në kuadër të luftës kundër kërcënimeve hibride dhe kriminalitetit të organizuar. Pajisjet ushtarake të fshehura mund të shërbejnë si rezervë logjistike për struktura të caktuara, por mund të jenë edhe materiale të mbetura nga aktivitete të mëparshme. Prandaj, është e domosdoshme të shmanget çdo konkluzion politik apo spekulativ para përfundimit të hetimeve.

Në aspektin operacional, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë, duhet të ndërmarrë disa hapa konkretë: së pari, të bëhet inventarizimi dhe ekspertiza e plotë e pajisjeve të konfiskuara; së dyti, të përcaktohet origjina, koha e prodhimit dhe kanali përmes të cilit ato kanë hyrë në territor; së treti, të analizohen gjurmët kriminalistike dhe të dhënat e mundshme që mund të çojnë te personat përgjegjës; dhe së katërti, të bëhet një analizë e të gjitha rasteve të mëparshme të ngjashme në Mitrovicën e Veriut, për të parë nëse ekziston një model i përsëritur”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përveç reagimit pas zbulimit të pajisjeve, institucionet duhet të punojnë edhe në identifikimin e hershëm të rrjeteve të mundshme që mund të merren me sigurimin, transportimin dhe fshehjen e tyre.

“Gjithashtu, duhet të forcohet inteligjenca policore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht në zonat ku ekzistojnë indikacione për posedim të paligjshëm të armëve apo pajisjeve ushtarake. Qëllimi nuk duhet të jetë vetëm konfiskimi i pajisjeve pasi ato të zbulohen, por identifikimi paraprak i rrjeteve që mund t’i sigurojnë, transportojnë dhe fshehin ato.

Në përfundim, ky rast është një sinjal që kërkon vëmendje të shtuar, por jo panik. Siguria publike mbrohet më së miri përmes hetimit profesional, inteligjencës së saktë, kontrollit të territorit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Çdo pajisje ushtarake e fshehur në mënyrë ilegale duhet të trajtohet si një element potencial i një zinxhiri më të gjerë, derisa hetimi të vërtetojë të kundërtën”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.

Elezi: Pajisjet ushtarake të gjetura në Mitrovicë nuk duhen trajtuar si incident i izoluar

ImageBedri EleziFoto galeri
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, për “Bota sot” ka cilësuar se rasti nuk duhet të trajtohet thjesht si një gjetje e zakonshme e Policisë së Kosovës, por kërkon hetim të plotë dhe vlerësim të thelluar të rrezikut.

“Gjetja e veshjeve dhe pajisjeve ushtarake të fshehura në një pusetë kanalizimi në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut nuk duhet trajtuar si një incident i izoluar apo thjesht si një gjetje e zakonshme e Policisë së Kosovës. Në aspektin e sigurisë, një rast i tillë kërkon vlerësim të thelluar të rrezikut dhe hetim të plotë të rrethanave. Fakti që pajisje të kësaj natyre janë gjetur edhe më herët në këtë zonë e rrit rëndësinë e rastit. Kur një fenomen përsëritet në të njëjtën hapësirë gjeografike, institucionet e sigurisë duhet të pyesin jo vetëm “çfarë u gjet?”, por mbi të gjitha “kush i ka vendosur, kur, për çfarë qëllimi dhe a ekziston një rrjet apo strukturë pas tyre?”. Nuk mund të konkludohet automatikisht se këto pajisje janë përdorur për ndonjë aktivitet kriminal apo se janë pjesë e ndonjë plani të caktuar. Megjithatë, as nuk duhet të përjashtohet një mundësi e tillë pa u kryer hetimi profesional. Veshjet, pajisjet taktike dhe materialet ushtarake mund të jenë gjurmë të një aktiviteti të mëparshëm, mjete të destinuara për përdorim të ardhshëm ose thjesht materiale të braktisura. Për këtë arsye, rëndësi vendimtare kanë ekzaminimi kriminalistik dhe hetimi i origjinës së tyre”, ka thënë ai.

Sipas Elezit, edhe mënyra e fshehjes së pajisjeve duhet të jetë pjesë e hetimit, pasi lokacioni ku janë gjetur mund të japë të dhëna të rëndësishme për rrethanat e rastit.

“Nëse pajisjet kanë qenë të fshehura dhe jo të braktisura në mënyrë të rastësishme, vetë mënyra e fshehjes është element që duhet të analizohet. Një pusetë kanalizimi është pikërisht një hapësirë që mund të përdoret për fshehje, ruajtje të përkohshme dhe shmangie të zbulimit. Kjo nuk dëshmon vetvetiu qëllim kriminal, por është një rrethanë që duhet marrë seriozisht. Institucionet e sigurisë duhet ta trajtojnë këtë rast në disa nivele.

Së pari, duhet të përcaktohet saktë origjina e çdo pajisjeje: prodhuesi, modeli, numrat identifikues, shenjat dalluese, kanalet e furnizimit dhe nëse ka qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë strukture ushtarake apo policore.

Së dyti, duhet të kryhet ekzaminim kriminalistik dhe, aty ku është e mundur, analizë e gjurmëve biologjike, ADN-së, gjurmëve të gishtërinjve dhe çdo prove tjetër që mund të çojë tek personat që i kanë përdorur ose vendosur.

Së treti, rasti duhet të lidhet me të gjitha rastet e mëparshme të gjetjes së pajisjeve të ngjashme në veri. Nuk duhet që çdo rast të hetohet si ngjarje e veçuar. Duhet të ndërtohet një hartë e rasteve, lokacioneve, llojit të pajisjeve dhe mënyrës së fshehjes, sepse vetëm analiza e përbashkët mund të tregojë nëse ekziston një model i përsëritur.

Së katërti, Policia e Kosovës duhet të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e tjera të sigurisë dhe me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkëmbimin e informacionit dhe identifikimin e origjinës së pajisjeve”, ka shpjeguar ai.

Po ashtu, Elezi ka shtuar se institucionet duhet të fokusohen edhe në parandalimin e rasteve të ngjashme dhe në identifikimin e çdo strukture që mund të jetë e lidhur me to.

“Dhe mbi të gjitha, institucionet duhet të kalojnë nga një qasje reaktive në një qasje parandaluese. Nëse një zonë prodhon vazhdimisht raste të tilla, atëherë duhet të ketë analizë të posaçme të rrezikut, grumbullim sistematik të inteligjencës dhe identifikim të personave apo strukturave që mund të kenë lidhje me këto raste. Në aspektin e sigurisë kombëtare, nuk është e rëndësishme vetëm ajo që gjendet, por ajo që mund të jetë ende e padukshme. Prandaj, do të ishte gabim që ky rast të mbyllej me konfiskimin e pajisjeve dhe një komunikatë policore. Pyetja kryesore është: a kemi të bëjmë me pajisje të izoluara të braktisura, apo me një indikator të një aktiviteti më të organizuar? Këtë duhet ta përcaktojë hetimi. Nëse rastet e ngjashme përsëriten, institucionet duhet ta konsiderojnë këtë jo më si një seri incidentesh të rastësishme, por si një indikator sigurie që kërkon analizë të veçantë dhe përgjigje institucionale të koordinuar.

Në veri të Kosovës, çdo gjetje e pajisjeve ushtarake të fshehura duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, pa panik, pa politizim dhe pa paragjykim — por edhe pa nënvlerësim. Siguria parandaluese fillon pikërisht aty ku institucionet arrijnë të kuptojnë sinjalet para se ato të shndërrohen në incidente”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *