SHKRUAN ETEM XHELADINI: NEXHMEDIN ISENI-NEÇKI, EMRI QË U BË SIMBOL I TRIMËRISË DHE DINJITETIT
NEXHMEDIN ISENI-NEÇKI, EMRI QË U BË SIMBOL I TRIMËRISË DHE DINJITETIT
Etem Xheladini
Ka njerëz që nuk jetojnë gjatë vetëm në kujtesën e familjes, por mbeten përgjithmonë në ndërgjegjen e një populli. I tillë ishte edhe Nexhmedin Iseni – Neçki, një burrë me virtyte të rralla, me karakter të pathyeshëm, me zemër fisnike dhe me një ndjenjë të jashtëzakonshme respekti për njerëzit me vlera, veçanërisht për të arsimin dhe dijen.
Fati më dha mundësinë ta takoj dy herë në jetë, takime të shkurtra në kohë, por që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time.
Takimi i parë ishte në vitin 1975, kur isha nxënës i gjimnazit. Pas një stërvitjeje volejbolli, së bashku me dy shokët e mi, Fazli Azirin, që më vonë u bë dhëndri i Nexhmedinit, dhe Arif Alilin, u ndalëm për të pirë një kafe. Edhe Nexhmedini ishte aty, gjatë bisedës së shkurtër, ai tha një fjali që më mbeti në mendje, e dua arsimin, më pas na tregoi se deri në klasën e shtatë kishte qenë nxënës i shkëlqyer. Në mënyrë të tërthortë la të kuptohej se rrethanat e kohës dhe padrejtësitë ia kishin ndryshuar rrjedhën e jetës, duke e privuar nga rruga që kishte ëndërruar.
Takimi i dytë ishte shumë vite më vonë, në një periudhë të rëndë për shqiptarët. Pas arrestimit të Avdirrahman Destanit, dajës së bashkëshortes sime, më 27 nëntor 1987, unë i dërgoja disa sende te personale te burgu i Kumanovës. Pikërisht aty takova rastësisht edhe Nexhmedinin, meqense Avdirrahmanin nuk e lejonin të dilte, Neçki hyri brenda, e thirri dhe bëri të mundur që t’ia dorëzoja rrobat dhe gjërat e nevojshme.
Kur Avdirrahmani doli, më tha me shumë respekt, ky djalë po na ruan e po kujdeset për ne, është jashtëzakonisht trim. Më pas më rrëfeu një ngjarje domethënëse, pas lajmeve të mbrëmjes, ku arrestimi i tij ishte paraqitur në mënyrë sensacionale nga mediat e kohës, një i burgosur jo shqiptar kishte filluar ta provokonte. Nexhmedini nuk e duroi poshtërimin ndaj dinjitetit shqiptar dhe reagoi duke goditur menjëherë, pa menduar për pasojat që mund t’i sillte vetes me që edhe ai ishte i burgosur.
Ky ishte karakteri i tij, nuk pranonte padrejtësinë, nuk përkulej përballë provokimit dhe nuk frikësohej nga sakrifica. Aty e kuptova se pata përballë një njeri të rrallë, trim në shpirt, të mirë me të gjithë dhe të gatshëm të sakrifikonte gjithçka për nderin dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Pas një kohe u takuam sërish në qytet. Më përshëndeti me shumë respekt dhe më pyeti, Arsimtar je, kur i thashë se po, më ftoi të pinim një lëng. Gjatë bisedës më tha, po dëgjoj se ke guxim dhe se angazhimi yt në mbrojtje të arsimit dhe në aktivitetet humanitare është i madh. Iu përgjigja se ato nuk ishin meritë, por detyrim moral.
U ndamë me respekt të ndërsjellë, mbeta me bindjen se Nexhmedini kishte një nderim të veçantë për çdo njeri që kontribuonte për arsimin.
Dashurinë e tij të sinqertë për arsimin e dëshmoi gjenetika edhe familja e tij fisnike. Edhe pse ishte djali i vetëm, motrat e tij u shkolluan dhe përfunduan arsimin e lartë, duke dëshmuar se në atë familje arsimi ishte vlera më e çmuar.
Pas ndarjes së tij nga jeta, pata privilegjin të punoja me njërën nga motrat e tij arsimtaren Hyrije. Në atë kohë, familjet me traditë dhe taban kombëtar e kishin shumë të vështirë punësimin. Falë Zotit, m’u dha mundësia të jap edhe unë një kontribut modest në punësimin e saj. Miku im Melaim, dhëndri i të ndjerit Nexhmedin, më kishte folur disa herë për këtë shqetësim.
Më vonë, deri në pensionim, patëm nderin të ishim kolegë.
Sot, me krenari mund të them se trashëgimia e Nexhmedin Iseni – Neçkit jeton fuqishëm te brezat e rinj të familjes së tij. Nipërit e tij, duke filluar nga Prof. Mr. Ramadani, doktori Kastrioti, Dr. Ardiani, e gjthë të tjerët, janë personalitete të respektuara, me tituj shkencorë dhe kontribute të çmuara në fushat e tyre. Ata janë krenari jo vetëm për familjen Iseni, Ramadani, Aziri, Osmani, por edhe për mbarë kombin shqiptar.
Nexhmedin Iseni – Neçki nuk ishte thjesht një emër. Ai ishte simbol i burrërisë, trimërisë, besës dhe respektit. Të gjithë ata që e njohën ose patën fatin ta takojnë, edhe sot e kujtojnë me respekt dhe krenari.
Ai mbetet një figurë që frymëzon, sepse në momentet më të vështira zgjodhi dinjitetin në vend të frikës, po edhe sakrificën.
Lavdi kujtimit të Nexhmedin Iseni – Neçkit! Kujtimi për te do të mbeten përherë pjesë e historisë, për brezat që vijnë.
