Nga autogoli në autogol: Kur rezultati zgjedhor është ndryshe, i njëjti post i kryeparlamentarit për LDK’në papritmas cilësohet si “ceremonial” dhe pa rëndësi
ipokrizia politike nuk matet me fjalë, por me standardet që i përdor kur je në pushtet dhe kur je në opozitë.
Një nga paradokset më të mëdha të politikës kosovare po shihet pikërisht në procesin e konstituimit të institucioneve. Opozita e sotme po përdor standarde krejt të ndryshme nga ato që i mbronte vetëm pak kohë më parë.
Kur ishte në interesin e saj, këmbëngulte se posti i kryetarit të Kuvendit ishte thelbësor dhe nuk pranonte zgjidhje të tjera. Madje kishte pretendime që ky post t’i takonte asaj edhe pa qenë fituese e zgjedhjeve. Argumenti ishte se ai post kishte peshë politike dhe institucionale.
Sot, kur rezultati zgjedhor është ndryshe, i njëjti post papritmas cilësohet si “ceremonial” dhe pa rëndësi. Sidomos LDK-ja, në negociatat me Albin Kurtin, nuk e sheh më kryeparlamentarin si objektiv, ndërsa fokusi zhvendoset te posti i Presidentit.
Kjo ngre një pyetje të thjeshtë: nëse posti i kryetarit të Kuvendit është ceremonial dhe i parëndësishëm, pse dikur ishte vijë e kuqe? E nëse atëherë ishte aq i rëndësishëm, pse sot minimizohet?
Edhe më problematike është qasja ndaj Presidencës. Presidenti, sipas frymës së Kushtetutës, duhet të jetë figurë unifikuese që përfaqëson unitetin e popullit dhe të shtetit, jo trofe i negociatave partiake apo kompensim për humbjen në zgjedhje. Kur Presidenca trajtohet si mjet pazari politik, zbehet vetë ideja e rolit që duhet të ketë ky institucion.
Në demokraci është normale të negociohet. Por negociatat duhet të ndërtohen mbi parime të qëndrueshme, jo mbi standarde që ndryshojnë varësisht nëse je fitues apo humbës. Kur një parti kërkon një gjë kur i leverdis dhe e mohon të njëjtën gjë kur nuk i konvenon më, problemi nuk është vetëm politik; është problem besueshmërie.
Pikërisht kjo është arsyeja pse shumë qytetarë e perceptojnë opozitën aktuale si jokonsistente. Nuk është çështje nëse je pro apo kundër Albin Kurtit. Është çështje e përdorimit të të njëjtit standard në çdo situatë. Nëse kërkon parime, duhet t’i mbrosh edhe kur nuk të favorizojnë. Përndryshe, parimet shndërrohen vetëm në mjete për të arritur pushtetin.
