Gjyqtarët serbë të dorëhequr, mes ligjit dhe kërkesave politike – çfarë thonë ekspertët?
Shqyrtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë ka mbetur pezull, pasi mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dështoi të mbahet për mungesë kuorumi.
Mospajtimet rreth rendit të ditës, që përfshinte edhe formimin e komisioneve të përhershme të Këshillit, çuan në bojkotimin e mbledhjes nga tre anëtarë.
Dorëheqjet lidhen me largimin kolektiv të rreth 130 gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve administrativë serbë nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.
Ndërkaq, ekspertët e çështjeve juridike vlerësojnë se rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr nuk mund të bëhet në mënyrë automatike, pasi dorëheqja prodhon pasoja juridike dhe kërkon respektimin e procedurave ligjore.
Sipas tyre, çdo vendim duhet të mbështetet në ligj, ndërsa rikthimi eventual mund të shqyrtohet vetëm përmes procedurave të rregullta, përfshirë konkursin, duke garantuar sigurinë juridike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Halilaj: Dështimi i mbledhjes së KGJK-së tregon sfida serioze institucionale, zvarritja e dorëheqjeve krijon pasiguri juridike
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se dështimi i mbledhjes së KGJK-së është një sinjal shqetësues për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Ai ka deklaruar se KGJK-ja ka obligim kushtetues dhe ligjor të funksionojë pa bllokada.
ImageGazmend HalilajFoto galeri
“Dështimi i mbledhjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës është një tregues i qartë se sistemi i drejtësisë po përballet me sfida serioze institucionale, të cilat duhet të tejkalohen me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka obligim kushtetues dhe ligjor që të funksionojë pa bllokada dhe të marrë vendime në kohë, veçanërisht për çështje që lidhen me funksionimin normal të gjyqësorit”, ka thënë ai.
Duke folur për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb, Halilaj ka theksuar se zvarritja e trajtimit të tyre ngre dilema serioze juridike dhe institucionale.
“Sa i përket dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb, fakti që trajtimi i tyre është zvarritur për një periudhë kaq të gjatë ngre dilema serioze juridike dhe institucionale. Dorëheqja, si akt individual, në parim prodhon pasoja juridike, por mosveprimi i organit kompetent për një kohë të gjatë krijon pasiguri juridike dhe cenon parimin e administrimit të mirë të drejtësisë.
Nëse konstatohet se gjyqtarët kanë braktisur detyrën dhe nuk kanë ushtruar funksionin e tyre për një periudhë të gjatë, Këshilli Gjyqësor, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe pas respektimit të procedurave ligjore, mund të shqyrtojë edhe mundësinë e ndërmarrjes së masave disiplinore apo të shkarkimit, nëse plotësohen kushtet ligjore. Megjithatë, çdo vendim duhet të mbështetet në ligj, në garantimin e së drejtës për një procedurë të rregullt dhe në respektimin e standardeve kushtetuese, në mënyrë që të jetë i qëndrueshëm dhe i mbrojtshëm nga çdo kontestim i mundshëm”, ka vlerësuar ai.
Në fund, avokati ka shtuar se është në interes të shtetit të së drejtës që institucionet të mos lejojnë zvarritje dhe vakuume institucionale.
“Nga një këndvështrim më i gjerë, është në interes të shtetit të së drejtës që institucionet të mos lejojnë vakuume të gjata institucionale, por t’i trajtojnë çështjet në kohë dhe me profesionalizëm. Vetëm kështu ruhet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe sigurohet funksionimi efektiv i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Halilaj për “Bota sot”.
Burjani: Gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr nuk mund të kthehen pa konkurs të ri
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për “Bota sot” ka vlerësuar se gjyqtarët dhe prokurorët që kanë dhënë dorëheqje nuk mund të rikthehen në sistemin e drejtësisë pa kaluar në procedurat e parashikuara me ligj.
“Nuk mund të kthehen. Nuk ka bazë ligjore për kthim. Dorëheqja trajtohet si largim vullnetar, pra shkëputja e kontratës nuk mund të ripërtërihet në mënyrë automatike. Kjo është e paligjshme nëse kthimi bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk merret parasysh dorëheqja, që në këtë rast nuk vlerësohet politikisht, por ligjërisht dhe kontraktueshëm.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Pa konkurs të ri nuk ka kthim të tyre. Pas aplikimit mund të vlerësohet nëse duhet të kthehen prapë apo duhet të zgjidhen gjyqtarë dhe prokurorë serbë të rinj nga komuniteti serb”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, Burjani ka kritikuar reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me këtë çështje, duke thënë se ai nuk është në përputhje me parimet ligjore.
“Është i çuditshëm reagimi i BE-së, madje nuk ka kuptim. Rendi dhe ligji nuk kanë të bëjnë me politikën. Le ta japin atë dorëheqje njerëzit në gjykatat e tyre në BE; në asnjë variant as nuk i kthejnë më me konkurs, e lëre më në mënyrë automatike.
Shkëputja vullnetare e kontratës ka pasoja shumë serioze ligjore, pa marrë parasysh motivet”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.
