OPINIONTË FUNDIT

Pse u rrah dhe keqtrajtua në Beograd shkrimtari i shquar serb, Vladimir Arsenijeviç?!

Vladimir Arsenijeviç është një shkrimtar i shquar i Serbisë, i cili deri tani ka shkruar dhjetë romane, esse dhe novela. Jeton në Beograd. Është gjithashtu kolumnist, muzikant dhe një nga zërat më të njohur publikë në Serbi. Ai ka krijuar një shoqatë letrare dhe kulturore “Krokodil” dhe prej 17 vitesh zhvillon aktivitete të shumta, me të cilat promovon humanizmin dhe idetë përparimtare të bashkëjetesës në rajon si dhe në vetë shoqërinë serbe.

Të shtunën e kaluar ai donte të organizonte gjithashtu një aktivitet përkujtimor në nderim të martirëve muslimanë që u masakruan si sot 31 vite në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, por autoritetet e Beogradit nuk e lejuan. Serbia nuk pranon që ta njohë masakrën e Srebrenicës dhe ka bërë gjithçka ka mundur që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të mos e shpallte 11 korrikun si ditën e Genocidit në përkujtim të masakrës në fjalë.

Dhjetëditëshi i dytë i korrikut 1995 ishtë kohë tmerri në Srebrenicë. Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe të Serbisë dhe të Republikës Srpska vranë dhe masakruan mbi 8300 burra dhe djem muslimanë. Zyrtarisht kjo masakër genocidiale i është adresuar paramilitarëve të Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, por për atë masakër janë dënuar edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë “Jugosllave” (serbe) Mlladiç, politikani i Beogradit, Vojisllav Shejshel etj. Megjithatë Gjykata Ndërkomëtare Penale e Hagës nuk ka ngritur padi ndaj shtetit të Serbisë, sepse luftën dhe masakrat e shkaktuara në Bosnjë Hercegovinë në vitet 1992-1995 i ka konsideruar si pjesë të një konflikti etnik civil. Pra si produkt i luftës midis serbëve dhe muslimanëve e pjesërisht edhe kroatëve, popuj të cilët përbëjnë shtetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Arsenijeviç, ndryshe nga autoritetet qeveritare në Beograd, e njeh masakrën e Srebrenicës dhe e përkujton atë në respekt të viktimave. Refleksionet e tij janë pozitive dhe shkojnë gjithnjë në dobi të paqes dhe bashkëjetesës midis popujve dhe kombeve e feve në Ballkan. Pikërisht për këtë qëndrim ai është përballur të dielën që shkoi me huliganë paramilitarë serbë. Eshtë goditur dhe rrahur aq keq sa ka përfunduar në spital dhe madje në gjendje të rëndë. Eshtë rrahur dhe keqtrajtuar kësisoj ai pas 31 vitesh një shkrimtar, një autoritet i letrave dhe humanizmit serb. Ndërkohë shteti nuk e ka lejuar shkrimtarin e shquar, Vladimir Arsenijeviç që të organizojë një veprimtari krejt simbolike.

Qeveria, presidenti, kisha dhe akademia e Serbisë nuk e njohin përgjegjësinë e serbëve të BH dhe as atë të Milosheviçit për genocidin e ushtruar kundër mislimanëve në Bosnjë. Para tri ditësh gazeta e njohur gjermane “Frankurter Allgemeine Zeitung” shkruante rreth krimeve serbe përmes të ashquajturës gjuetia (Safari) e Sarajevës. Kjo do të thotë se presidenti Vuçiq është në rrethin e kuq të asaj veprimtarie kriminale dhe genocidiale, e cili i shtohet ose mbivendoset genocidit serb në Srebrenicë. Duhet besuar se pikërisht mohimi i genocidit të Srebrenicës ka nxitur autoritetet europiane të hetojnë dhe hulumtojnë rreth gjuetisë së të rinjve muslimanë gjatë shetitjeve që ata bënin në vitet e luftës në rrugët e Sarajevës. Dhe kësisoj të hetohet edhe presidenti i sotëm i Serbisë, asokohe organizator dhe mbikëqyrës i asaj gjuetie.

Ndalimi i veprimtarive përkujtimore dhe për më tepër rrahja dhe keqtrajtimi i një shkrimtari serb, i cili ndryshe nga shteti dhe pjesa tjetër e shoqërisë, e njeh masakrën e Srebrenicës dhe përpiqet të reflektojë mbi të, dëshmon se Serbia është ende nën sundimin e mentalitetit, logjikës së luftës dhe shkatërrimit të paqes, si në Kohën e Milosheviçit. Kanë kaluar plot 26 vite që kur Milosheviç u largua nga pushteti e më pas u dërgua në Hagë për t’u gjykuar dhe dënuar si kreu i krimeve kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi, sidomos në BH dhe në Kosovë, megjithatë fryma e e tij, botëkuptimi i ish-kasapit të Ballkanit dhe narrativa e tij janë gjallë e mbrohen me forcë.

Rasti i Arsenijeviç dëshmon edhe njëherë se sa larg është shoqëria dhe shteti i Serbisë nga standardet e integrimit euro-atlantik. Tregon gjithashtu se atmosfera e luftës, e urrejtjes dhe e hakmarrjes vazhdon të jetë prezent. Ndërsa për refleksion dhe ndjesë as që bëhet fjalë. Kur Aleksandër Vuçiq shkoi në Srebrenicë para disa vitesh dhe u përndoq me gurë nga viktimat e genocidit të tij atje, u përpoq të kërkonte ndjesë. Por ndjesa serbe gjithmonë e ka bishtin nga mbrapa, shoqërohet nga një hile e paskrupullt. Kjo hile është pikërisht kjo që ka ndodhur me shkrimtarin serb në Beograd. Pas deklaratave të ndjera fshihen gjithmonë aktet e kundërta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *