POLITIKATË FUNDIT

Nisma për shkarkimin e Abdixhikut ‘trazon’ LDK-në, a po hyn partia në fazën vendimtare?

Pas rezultatit të dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, brenda partisë kanë nisur lëvizje për ndryshime në udhëheqje.

Burime brenda LDK-së bëjnë të ditur se ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, ku synohet të shqyrtohet edhe shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku.

Sipas informacioneve, iniciativën e ka nisur kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Zhvillimet e fundit kanë nxitur reagime të ndryshme nga analistë dhe figura të afërta me LDK-në, të cilët e shohin situatën nga këndvështrime të ndryshme.

Disa vlerësojnë se kërkesa për ndryshim të lidershipit është pasojë e pakënaqësive të grumbulluara pas humbjeve zgjedhore dhe mund të shërbejë si një mundësi për reformimin e partisë. Të tjerë theksojnë se çdo iniciativë e tillë duhet të zhvillohet në përputhje me Statutin e LDK-së dhe se vendimi përfundimtar i Kuvendit duhet të respektohet nga të gjitha palët.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo nismë do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme apo nëse do të thellojë ndarjet e brendshme në partinë më të vjetër politike në Kosovë.

Qarri thotë se kërkesat e disa degëve të LDK-së për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme janë pasojë e pakënaqësive të grumbulluara pas humbjeve zgjedhore

Analisti politik Gani Qarri në prononcimin e tij për “Bota sot” ka deklaruar se pas humbjes së tretë radhazi të LDK-së në zgjedhjet parlamentare brenda 16 muajve, katër nga degët që ai i cilëson si më të suksesshmet dhe më të rëndësishmet të partisë kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit, Lumir Abdixhiku.

“Menjëherë pas numërimit të votave dhe humbjes së tretë radhazi, degët e Pejës, Lipjanit, Dega e Dytë në Prishtinë dhe Rahoveci kërkuan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor për rezultatin e dobët. Ato kërkuan edhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të brendshme si mënyrën e vetme për rimëkëmbjen e LDK-së”, u shpreh Qarri për ‘Bota sot’.

Sipas tij, pakënaqësitë brenda partisë kanë shkuar përtej kërkesave publike.

“Frika se LDK mund të margjinalizohet nëse nuk ndryshon lidershipi ka bërë që të nisë edhe mbledhja e nënshkrimeve për dorëheqjen e Abdixhikut, thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm dhe organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të brendshme, nga niveli i nëndegëve deri te zgjedhja e kryetarit të ri”, tha ai.

Qarri kritikoi edhe reagimin e Abdixhikut ndaj kërkesave të degëve.

“Në vend që të japë dorëheqje ose të reflektojë, Abdixhiku ka kërkuar dorëheqjen e kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan, duke i quajtur sabotatorë vetëm pse kërkuan përgjegjësi pas rezultatit të zgjedhjeve. Kjo dëshmon se LDK po kalon një krizë shumë të thellë të brendshme, e cila mund të rrezikojë të ardhmen politike të partisë”, deklaroi Qarri.

Ai tha se nisma për mbledhjen e nënshkrimeve, e iniciuar sipas tij nga Gazmend Muhaxheri, mund të marrë mbështetje të gjerë.

“Duke parë pakënaqësinë në rritje ndaj kryetarit aktual, kjo nismë pritet të jetë e suksesshme. Në të kundërtën, ekziston rreziku i krijimit të grupeve kundërshtare brenda partisë, përçarjes së saj dhe madje edhe formimit të fraksioneve të reja politike”, u shpreh ai.

Në fund, Qarri vlerësoi se rezultatet zgjedhore të LDK-së nën drejtimin e Abdixhikut janë argument i mjaftueshëm për të kërkuar përgjegjësi.

“Është fakt se LDK, edhe në komuna ku dikur qeveriste, ka rënë në renditje. Prandaj, Abdixhikut i kërkohet llogaridhënie dhe shqyrtim serioz i kërkesës së degëve për dorëheqje. Nëse kjo nuk ndodh, ekziston rreziku që partia të përballet me pasoja edhe më të rënda politike”, përfundoi Qarri.

Ish-veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj, thotë se çdo iniciativë për ndryshime në parti duhet të trajtohet në përputhje me statutin

Ndërkaq, ish veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj ka deklaruar se çdo nismë e ndërmarrë në përputhje me Statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të konsiderohet legjitime dhe demokratike.

“Nëse kjo nismë është e vërtetë, nuk shoh asgjë për t’u shqetësuar. Çdo iniciativë që respekton normat statutare të LDK-së është plotësisht demokratike. Nëse sigurohen nënshkrimet e nevojshme, atëherë çështja i kalon Kuvendit të LDK-së, i cili vendos nëse kryetari Lumir Abdixhiku duhet të vazhdojë mandatin apo të largohet. Çfarëdo vendimi që merr Kuvendi duhet të respektohet nga të gjithë”, tha Tahiraj për ‘Bota sot’.

Ai shtoi se, nëse nisma nuk arrin të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve sipas Statutit, atëherë kryetari aktual duhet të vazhdojë mandatin dhe vendimi të pranohet nga të gjitha strukturat e partisë.

Duke komentuar rezultatin zgjedhor të LDK-së, Tahiraj vlerësoi se ai ka qenë nën pritshmëritë e partisë.

“Nëse bëhet një analizë e mirëfilltë e zgjedhjeve të fundit, rezultati është shumë i dobët krahasuar me ambiciet e LDK-së. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi dhe llogaridhënie, duke filluar nga kryetari i partisë e deri te drejtuesit e degëve dhe nëndegëve. Deri më tani nuk është bërë një analizë serioze dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këto rezultate”, u shpreh ai.

Sipas Tahirajt, LDK është larguar nga identiteti i saj tradicional.

“E kam thënë vazhdimisht dhe vazhdoj ta them se LDK ka dalë nga shtrati i saj tradicional dhe nuk është më vetvetja. Vetëm duke iu rikthyer identitetit të saj të vërtetë mund ta rifillojë rrugëtimin drejt suksesit”, deklaroi ai.

Ai kërkoi që partia të zhvillojë një analizë të thellë të gjendjes dhe, mbi bazën e saj, të ndërmarrë reforma.

“Mendoj se zgjidhja më e mirë është një analizë e thellë, e cila do të evidentojë gabimet dhe do t’u japë mundësi përgjegjësve të reflektojnë pa inate. Pas kësaj do të ishte shumë e shëndetshme të mbaheshin zgjedhje në të gjitha nivelet e partisë, në përputhje me traditën dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja”, tha Tahiraj.

Mes tjerash, veprimtari shtoi se, sipas bindjes së tij, vetëm ruajtja e identitetit politik të LDK-së mund ta rikthejë partinë në rrugën e suksesit.

“Vetëm origjinaliteti i vërtetë i LDK-së është rruga drejt suksesit, e jo improvizimet dhe modelet e huazuara që, sipas meje, e kanë dëmtuar partinë nga brenda”, u shpreh ai.

Saim Tahiraj ka bërë një deklaratë të fortë politike lidhur me zhvillimet dhe gjendjen e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke pretenduar se partia po përballet me ndikime dhe tendenca të jashtme ideologjike.

“LDK, që nga anëtari më i thjeshtë e deri te kryetari, duhet ta kuptojë mirë se ideologjia komuniste pansllaviste ka vepruar vazhdimisht në hapësirën shqiptare. Sipas meje, kjo ideologji është përcjellë përmes LPK-së dhe sot vazhdon të jetë e shpërndarë në parti si PDK, AAK dhe subjekte të tjera më të vogla, me qëllim shkatërrimin e LDK-së”, ka deklaruar Tahiraj.

“Nuk duhet të harrojmë se disa elementë të tillë janë infiltruar edhe brenda partisë. Ka një vazhdimësi të strukturave ideologjike që kanë funksionuar që nga e kaluara, dhe kjo po reflektohet edhe sot në politikën shqiptare”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka theksuar se LDK mbetet, sipas tij, e vetmja forcë origjinale politike në vend.

“Unë besoj se LDK është e vetmja parti origjinale nacionaliste dhe demokratike në Kosovë. Të gjitha forcat e mirëfillta nacionaliste duhet të rreshtohen pranë saj, sepse pa LDK-në rrezikohet edhe vetë stabiliteti politik i vendit.

Sipas bindjes sime, të gjitha forcat e mirëfillta të djathta nacionaliste duhet të rreshtohen krah LDK-së, sepse e konsideroj atë forcën e vetme politike origjinale të këtij orientimi në Kosovë”, përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *