Kurti: Cilësia e produkteve vendore do të rrisë eksportet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë shpallur 643 fermerë ndërmarrës përfitues të granteve në industrinë agro-përpunuese, nga gjithsej 1.200 aplikues.
Sipas Kurtit, kjo është hera e parë në historinë e Republikës së Kosovës që një numër kaq i madh përfituesish shpallet në kuadër të një skeme publike investimesh në një proces të vetëm.
Ai theksoi se rreth 35 për qind e përfituesve janë gra, ndërsa një numër i konsiderueshëm janë të rinj që e shohin bujqësinë dhe sipërmarrjen rurale si perspektivë për të ardhmen.
Kryeministri bëri të ditur se përmes kësaj mase po mbështeten sektorë me potencial të lartë zhvillimor, si agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore, prodhimi i mjaltit, kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, akuakultura, si dhe aktivitete të tjera që krijojnë vlerë të shtuar.
Postim i plotë:
Sot shpallëm 643 fermerët ndërmarrës përfitues nga 1200 fermerë sa kanë aplikuar gjithsej për grante në industrinë agro-përpunuese. Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës shpallet një numër kaq i madh përfituesish të një skeme publike investimesh në një proces të vetëm.
Rreth 35 për qind e përfituesve janë gra. E po ashtu një numër i konsiderueshëm përfituesish janë të rinj, që angazhimin në sektorin e bujqësisë dhe sipërmarrjen rurale e shohin si perspektivë për të ardhmen e tyre.
Përmes kësaj mase po mbështeten sektorë me potencial të lartë zhvillimor, si agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore, prodhimi i mjaltit, kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, akuakultura dhe aktivitete të tjera që krijojnë më shumë vlerë të shtuar.
Kosova për herë të parë nga të qenurit vetëm përfitues i mbështetjes ndërkombëtare u bë edhe bashkinvestuese në një program të kësaj përmase në vitin 2023. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, Ambasadën Gjermane dhe GIZ-in, të cilët prej shumë vitesh janë partnerë të besueshëm të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës tashmë e ka vendosur fermerin dhe bujkun në qendër të politikave bujqësore. Mbi 350 milionë euro dhe me rreth 150 mijë përfitues është mbështetja direkte financiare përgjatë qeverisjes sonë.
Bujqësia, përfshirë edhe pylltarinë, gjuetinë dhe peshkimin, është sektor tejet i rëndësishëm për zhvillimin e Republikës sonë, sepse përbën 7.3% të Bruto Produktit Vendor.
Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak analiza pacientësh në spitale është e nevojshme të kemi sa më shumë, gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen. Prandaj, do t’ju mbështesim për standardizim e certifikim. Cilësia dhe ligjshmëria janë hovi i ardhshëm i shtimit të eksporteve, i zëvendësimit të importeve dhe i konkurrueshmërisë evropiane. Suksesi i fermerëve, prodhuesve dhe sipërmarrësve tanë është edhe suksesi i Republikës së Kosovës.
