Tirana rrezikon të mos jetë nikoqire e samitit të radhës të NATO-s
Tirana rrezikon ta humbasë statusin e nikoqirit të samitit të ardhshëm të NATO-s, mësohet jozyrtarisht nga burime diplomatike në Aleancën Veriatlantike.
Sipas këtyre burimeve, kjo lidhet me pakënaqësinë e administratës amerikane dhe të disa shteteve të tjera anëtare për nivelin e ulët të shpenzimeve të mbrojtjes nga Shqipëria.
Samiti i NATO-s këtë vit do të mbahet në Ankara të Turqisë, ndërsa ishte planifikuar që samiti pasues të organizohej në Tiranë. Kjo ishte përcaktuar edhe në deklaratën përfundimtare të miratuar në samitin e vitit të kaluar, të mbajtur në Hagë.
Megjithatë, sipas draftit të deklaratës që po përgatitet për miratim, Tirana nuk figuron më si vendi nikoqir i samitit të ardhshëm të NATO-s.
Kryeqyteti shqiptar ka qenë nikoqir i disa ngjarjeve të rëndësishme evropiane gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, organizimi i samitit të NATO-s në Shqipëri do të përbënte ngjarjen më të madhe diplomatike të mbajtur ndonjëherë në vend, pasi do të mblidhte krerët e shteteve të Aleancës, përfshirë edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.
