LIVE: “Lironi çunat tanë”, gjashtë orë protestë nga Kuvendi te Policia e Tiranës, qytetarët të vendosur: Nuk ikim nga këtu!
Në një lidhje direkte për programin e drekës, gazetari Renaldo Salianji ka raportuar se prej disa orësh protesta për lirimin e 6 të arrestuarve vijon. Ai raporton se protesta para Drejtorisë së Policisë Tiranë do të vijojë deri në orën 19:00 dhe më pas do të shihen skenarët.
“Një pjesë e protestuesve janë në komisariate. Protestuesit bëjnë thirrje për lirimin e protestuesve të arrestuar para Parlamentit.
Thirrjet “lironi çunat” vijojnë.
Protesta do të vijojë deri në orën 19:00 dhe do të vijojë si zakonisht, por nuk dihet skenari.
Mes protestuesve të arrestuar është edhe Dritan Goxhaj, nuk bëhen ende të ditura identitetet e tjera”, raportoi ai.
Njëri prej organizatorëve Arben Kola deklaroi se ata do të qëndrojnë deri në lirimin e protestuesve, por nuk dihet ende nëse protesta do të organizohet para Drejtorisë së Policisë Tiranë apo do të ketë një zhvendosje te Kryeministria dhe kjo do të vendoset në vijim.
Këto janë pamjet e tjera të arrestimit të një prej aktivistëve në protestën e sotme para Parlamentit, ku mes tyre u ndalua edhe Dritan Goxhaj.
Momentet tregojnë grupin e policëve që ndjek nga pas aktivistët dhe kërkon që t’i arrestojë me dhunë, edhe pse ata nuk i kanë sulmuar.
Madje në një çast efektivët i kanë shtrirë përtokë aktivistët, i kanë tërhequr zvarrë, duke shkaktuar edhe dëmtime trupore.
Në një moment aktivisti shihet që shtrihet në asfalt dhe madje dëgjohen thirrjet e protestuesve që akuzojnë uniformat blu se “po i vinin shkelmat në fyt” qytetarit.
“Nuk bëri asgjë, çfarë bëni, po i vini shkelmin në fyt”, bërtasin qytetarët teksa arrijnë të shpëtojnë një tjetër aktivist nga prangat, por jo të dytin, i cili u shtri në tokë dhe u prangos.
Më tej ai u tërhoq zvarrë drejt hyrjes së Kuvendit ku më tej u përcoll në makinën e Policisë.
Më tej nuk munguan edhe thirrjet “Lironi shokët tanë” apo ‘Lironi protestuesit, si s’ju vjen turp”.
