POLITIKATË FUNDIT

Fitorja e LVV-së në zgjedhjet e fundit, juristi nga Belgjika zbërthen prapaskenat dhe ‘godet’ opozitën

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë edhe mandatin e 53-të, duke ruajtur pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje si në zgjedhjet e kaluara.

Ky rezultat ngre pyetje të rëndësishme për efektin real të këtyre zgjedhjeve në skenën politike të Kosovës. A dëshmojnë shifrat se elektorati ka vendosur të ruajë status quo-në dhe se opozita nuk ka arritur të ofrojë një alternativë bindëse për të ndryshuar raportet e forcave politike?

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili fillimisht përmendi bllokadën politike nëpër të cilën kaloi vendi, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe arritjes së një marrëveshjeje mes partive politike.

Për ngërçin e krijuar, ai i fajësoi partitë opozitare, derisa u shpreh se e kishin sabotuar me qëllim Lëvizjen Vetëvendosje, por që pavarësisht kësaj kjo e fundit arriti të fitojë sërish bindshëm në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Për 16 muaj me radhë, Kosova është përballur me një ndër krizat më të mëdha institucionale, të shkaktuara dhe të organizuara nga PLAN-i, që u karakterizua me obstruksione, sabotime dhe bllokada të qëllimshme, me të vetmin synim që ta pengojnë qeverisjen e kryeministrit Kurti. Obstruksionet për konstituimin e institucioneve më vitale të shtetit filluan që nga shkurti i vitit 2025, kur PLAN-i kategorikisht refuzoi bashkëpunimin me LVV-në për formimin e Qeverisë, duke e dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Bojkotimi i sinkronizuar i PLAN-it vazhdoi edhe pas zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, kur opozita sabotoi zgjedhjen e presidentit, edhe pse LVV-ja paraprakisht, brenda një dite, kishte konstituuar Kuvendin dhe kishte formuar Qeverinë. Si rrjedhojë e kësaj papërgjegjësie skajshmërisht antishtetërore të PLAN-it, Kosova prapë shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026.

Edhe përkundër një propagande arrogante, me plot shpifje, manipulime dhe kauza të rreme të opozitës gjatë fushatës zgjedhore kundër kryeministrit Kurti, koalicioni i LVV-së, me votat e mërgatës, prapë i fitoi këto zgjedhje me mbi 47%, duke siguruar 53 deputetë”, deklaroi ai.

ImageSkënder Musliu
Krahas kësaj, Musliu, duke u bazuar në faktin se nuk kishte ndryshime të mëdha në rezultat krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, i cilësoi zgjedhjet e fundit si të dëmshme dhe të pajustifikuara.

Madje, ai nënvizoi se PDK-ja dhe LDK-ja nuk arritën qëllimet e tyre, derisa qytetarët i ndëshkuan sërish në zgjedhjet e fundit, për shkak të qasjes së tyre ndaj pushtetit.

“Duke pasur parasysh rezultatin preliminar zgjedhor, ende të pacertifikuar zyrtarisht nga KQZ-ja, me të drejtë shtrohet pyetja: a thua këto zgjedhje e ndryshuan mozaikun e skenës politike, krahasuar me dy palë zgjedhjet paraprake? Me siguri që jo, pasi rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe ai i qershorit 2026 kanë një diferencë aq të vogël, sa këto zgjedhje i bëjnë të dëmshme, të pajustifikuara dhe inkriminuese.

PLAN-i dy palë zgjedhjet e fundit i provokoi qëllimisht për ta dobësuar kryeministrin Kurti, me shpresën se do t’i siguronte votat e nevojshme që, bashkë me Listën Serbe, ta konstituonte Kuvendin dhe ta formonte Qeverinë pa LVV-në. Mirëpo, siç thotë populli, “hesapi i shtëpisë nuk u doli në pazar”.

Përkundrazi, PDK-ja dhe LDK-ja jo vetëm që nuk i arritën objektivat dhe pritshmëritë, por humbjet e njëpasnjëshme kanë shkaktuar pakënaqësi dhe përçarje në këto parti, të cilat gjithnjë e më tepër, në ditët dhe javët në vijim, do të dalin në sipërfaqe.”

Tutje, juristi përmendi edhe përçarjet e brendshme në këto parti, që erdhën si rezultat i mosarritjes së objektivave që kishin pasur para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Kështu, përçarjet në LDK janë më se evidente dhe gjithnjë e më tepër nga disa zyrtarë po kërkohet llogaridhënie dhe zgjedhje partiake për disfatat elektorale. Edhe pse Lumir Abdixhiku me pompozitet e kishte paralajmëruar kthimin e Vjosa Osmanit në LDK, duke shpresuar se kjo parti do të fuqizohej, tani Vjosa Osmani është bërë ‘mollë sherri’ dhe shkak për një krizë të përshpejtuar e të thellë në LDK.

Për shpëtimin e kësaj situate dhe daljen nga kjo krizë, Lutfi Haziri i ka paraprirë një fushate duke kërkuar një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së. Mirëpo, personalisht nuk besoj se Albin Kurti do t’ia mundësojë këtë kënaqësi atyre që më së shumti e kritikuan dhe e denigruan gjatë fushatës zgjedhore.

Kurse PDK-ja, që nga paraburgimi i krerëve të saj, ka mbetur si parti pa lidership. Pa shkëputjen e kësaj partie nga komandantët e rremë, hajnat, kriminelët dhe ata që UÇK-në e shfrytëzuan si plaçkë lufte, ajo gjithnjë e më tepër do të dobësohet. PDK-ja të vetmen shpresë e ka te lirimi i të akuzuarve të Hagës?”

“Që nga ardhja e Albin Kurtit në Qeveri, opozita pothuajse është inekzistente”

Në vazhdim, Musliu foli edhe për fitoren e radhës së LVV-së dhe Kurtit, derisa potencoi se me mandatet që ka do të formojë qeverinë me pakicat joserbe.

Kurse, sipas tij, çështja e presidentit është e hapur dhe kërkon marrëveshje politike me partitë opozitare.

“Edhe pse koalicioni i LVV-së ishte kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ai prapë shënoi një fitore që me komoditet do ta konstituojë legjislaturën e re të Kuvendit dhe do ta formojë Qeverinë bashkë me pakicat joserbe.

Sikurse edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, edhe tani zgjedhja e presidentit mbetet një çështje e hapur, ku do të thyhen shtizat dhe që kërkon konsensus mes pozitës dhe opozitës. Sipas deklaratave aktuale të lidershipit politik, të gjithë janë dakord që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje politike.

Edhe ambasadat e huaja në Prishtinë, bashkë me BE-në, kanë kërkuar që sa më shpejt të formohen dhe funksionalizohen institucionet sa më stabile shtetërore të Kosovës”, shtjelloi juristi.

Po ashtu, humbjet e vazhdueshme të opozitës ai i vlerëson si sinjal që partitë në fjalë nuk kanë ofruar alternativë të qartë.

Madje, ai konsideron se që nga ardhja e Kurtit në pushtet, opozita është inekzistente, e çorientuar dhe pa vizion. Kjo gjë, sipas tij, vë në pah nevojën për reforma të thella në partitë opozitare.

“Humbja e PLAN-it në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare radhazi tregon qartë se kjo opozitë nuk i ka ofruar kurrfarë alternative elektoratit për t’i konkurruar LVV-së, përveç manipulimeve, shpifjeve dhe mashtrimeve.

Në disa zgjedhje të fundit, sovrani bashkë me mërgatën gjithnjë e më tepër po i ndëshkon kastat politike, të cilat në emër të UÇK-së dhe Ibrahim Rugovës janë zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar, kanë shkatërruar ekonominë, kanë plaçkitur shtetin, kanë dëmtuar rëndë sovranitetin dhe, për të mos i numëruar të bëmat kriminale gjatë qeverisjeve mbi dy dekada.

Dhe tani, kur ka ardhur koha e llogaridhënies dhe përgjegjësisë, ata bëjnë çmos ta pengojnë kryeministrin Kurti që t’i zbatojë reformat në drejtësi, që është ankthi i tyre.

Që nga ardhja e Albin Kurtit në Qeveri, opozita pothuajse është inekzistente, e çorientuar dhe pa vizion. Në Kuvend riciklohen deputetë të korruptuar, të shantazhuar nga shërbime të huaja, të dënuar për vrasje, kriminelë, hajna dhe antikombëtarë.

Prandaj, pa reforma radikale e strukturore dhe pa largimin e të inkriminuarve, kjo opozitë rrezikon të mbetet në opozitë për dekada. Opozita ka nevojë për rifreskim, për prurjen e një gjenerate të re, të pashantazhueshme dhe të pakorruptuar, për një nismë të re që sjell politikanë të rinj, me një kulturë dhe mentalitet tjetër politik, duke lënë anash hipotekat e së kaluarës që u keqpërdorën dhe e degraduan shtetin.”

Në fund, juristi nga Belgjika shtoi se zgjedhjet jo vetëm që nuk kanë qenë të nevojshme, por ato kanë sjellë dëme të mëdha.

“Duke pasur parasysh faktin se opozita qëllimisht bëri që viti 2025 të dështojë, tani Kosova nuk ka më kohë për të humbur, sepse në mungesë të institucioneve dhe reformave, vetëm nga Plani i Rritjes i BE-së Kosova rrezikon të humbasë deri në 250 milionë euro, kurse në pritje janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje më se të nevojshme që janë në interes të qytetarëve, e që opozita e papërgjegjshme i ka bllokuar.

E gjithë kjo që përmenda na mëson se zgjedhjet jo vetëm që nuk kanë qenë të nevojshme, por ato kanë sjellë dëme që nuk mund të kompensohen, si në aspektin financiar, ekonomik e politik, ashtu edhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *