Lajm i mirë: Ministrat e BE-së miratojnë me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën
Këshilli i Ministrave të BE-së sot ka miratuar në lexim të parë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës.
Heqja e vizave për Kosovën do të zbatohet që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para.
Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Europian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.
Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard, vendi i së cilës udhëheq Presidencën e BE-së, lavdëroi progresin e Kosovës.
“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha të vazhdojë të jetë i frytshëm”.
Komisioni ka thënë se do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e kërkesave ndaj Kosovës, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave.
Para se të shkojë në seancë plenare të Parlamentit Europian, dosja e liberalizimit të vizave do të hidhet në votim sërish në LIBE.