Presidenti para apo pas Qeverisë? Kryeziu jep interpretimin kushtetues
Me përfundimin e zgjedhjeve, nëse nuk zgjidhet presidenti, Kosova mund të përballet sërish me të njëjtën situatë – zgjedhje të reja.
Edhe pse procesi i numërimit të votave ende po vazhdon, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në këto zgjedhje, duke lënë pas ish-bllokun opozitar të përbërë nga PDK, LDK dhe AAK.
Megjithatë, një nga çështjet që po diskutohet më së shumti është zgjedhja e presidentit.
Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit, veçanërisht nëse posti i kreut të shtetit është vakant. Ai thekson se një renditje e tillë buron nga norma kushtetuese dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu.
Ai ka deklaruar se fillimisht konstituohet Kuvendi, më pas formohet Qeveria, ndërsa më pas trajtohet çështja e Presidentit.
“Së pari konstituohet Kuvendi, pastaj Qeveria dhe më pas Presidenti.
Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh një kronologji të qartë, por kjo mund të shpjegohet përmes interpretimit logjik”, deklaroi ai për “Bota sot”.
Theksojmë se, së fundi, Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me partitë e tjera për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Kurti tha se sa i përket konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë mund të nisin bisedimet pasi të ketë përfunduar numërimi i votave.
Ndërkaq, sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re, Kurti kujtoi se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese kërkon që 80 deputetë të marrin pjesë në votim për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Pra, jemi të gatshëm, të vullnetshëm, të interesuar për komunikim e bashkëpunim, por nuk asgjë e re nga ana jonë”, tha Kurti, duke përmendur se muaj më parë, LVV-ja kishte bërë oferta për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim që të gjendej zgjidhje për çështjen e presidentit.
Për shkak të moszgjedhjes së një presidenti të ri brenda afatit kushtetues, Kosova shkoi në zgjedhje.
