Për të mos gabuar në zgjedhje, mjafton të shikoni kush kë e mbështet
Nesër qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur drejtimin e vendit.
Në prag të zgjedhjeve, mes premtimeve, akuzave dhe propagandës nga të gjitha anët, e vërteta shpesh humbet.
Prandaj, para se të vendosni për kë do të votoni, bëjini vetes disa pyetje të thjeshta.
Kush janë njerëzit që mbështesin secilën alternativë politike?
Kush janë ata që gëzohen kur një parti forcohet dhe kush janë ata që shqetësohen kur ajo fiton?
Kush e ka mbështetur sovranitetin e Kosovës në veri dhe kush ka kundërshtuar ose minimizuar veprimet që kanë shtrirë autoritetin e shtetit në atë pjesë të vendit?
Kush ka qëndruar pranë Listës Serbe dhe kush është përballur me të?
Kush ka qenë në anën e interesave të Kosovës dhe kush është parë shpesh në shoqërinë e atyre që kanë kundërshtuar shtetin e Kosovës?
Kush thirret në Rugovën, por del krah për krah me antirugovistët më të zëshëm?
Kush ka qenë i lidhur me afera që kanë dëmtuar pasurinë publike dhe kush nuk mban barrë të tillë?
Në politikë, jo gjithmonë mjafton të dëgjosh se çfarë thotë një kandidat për veten. Shpesh më shumë tregojnë njerëzit që e mbështesin, aleatët që e rrethojnë dhe interesat që qëndrojnë pas tij.
Nëse një person që ka vepruar kundër interesave të Kosovës mbështet një politikan të caktuar, qytetari ka të drejtë të pyesë pse. Nëse dikush që ka luftuar kundër forcimit të shtetit të Kosovës sulmon vazhdimisht një alternativë politike, qytetari ka të drejtë të pyesë përsëri pse.
Vota nuk është vetëm zgjedhje e një partie. Ajo është zgjedhje e drejtimit që do të marrë shteti.
Prandaj, nesër mos votoni me emocionin e momentit. Mos votoni nga zemërimi, inati apo propaganda e ditës.
Votoni duke kujtuar se kush ka qenë ku në momentet më të rëndësishme për Kosovën.
Shikoni veprat, jo sloganet.
Shikoni qëndrimet, jo premtimet.
Shikoni aleatët, jo reklamat.
Dhe mbi të gjitha, votoni sipas ndërgjegjes suaj, sepse pas zgjedhjeve partitë do të vazhdojnë jetën e tyre politike, ndërsa qytetarët do të jetojnë me pasojat e vendimit të marrë në kutinë e votimit.
