POLITIKATË FUNDIT

Nëse hiqen UÇK-ja, Rugova dhe urrejtja ndaj Kurtit, çfarë mbetet nga programi politik i opozitës?

Në politikën kosovare po zhvillohet një fenomen i rrallë shkencor: partitë që dikur pretendonin se ishin lokomotivat e historisë, sot sillen si pasagjerë të humbur që kërkojnë ndihmë nga stacionet e së kaluarës.

Fushata e tyre zgjedhore nuk ngjan me një garë idesh, por me një seancë spirituale, ku liderët politikë përpiqen të komunikojnë me fantazmat e historisë për ta shpëtuar vetveten nga realiteti.

Dhe secila parti e ka lutjen e saj.

PDK e ka lutjen : “Oj UÇK, eja mbuloma turpin!”

Ajo ndodhet në një situatë të sikletshme, sepse sa herë që qytetarët e pyesin për korrupsionin, tenderët, kapjen e shtetit dhe pasurimin marramendës të elitës partiake, ajo nuk përgjigjet me argumente.

Ajo përgjigjet me UÇK-në.

Është njësoj sikur një nxënës i kapur duke kopjuar në provim të mos mbrohet duke e dëshmuar pafajësinë, por duke i treguar fotografitë e gjyshit të tij hero.

Prandaj slogani i saj real duket kështu :

“Oj UÇK, eja mbuloma turpin, se më zuri Albin Kurti duke vjedhur, duke mashtruar dhe duke e trajtuar shtetin si pronë private.”

Problemi është se edhe historia i ka kufijtë e saj.

Heroizmi nuk është detergjent universal që i lan të gjitha mëkatet politike.

LDK e ka lutjen : “O Rugovë, eja na shpëto!”

LDK-ja, një parti që dikur prodhonte ide, vizione dhe liderë, sot sillet si trashëgimtar i pasurisë së dikujt që e ka shpenzuar prej kohësh kapitalin e trashëguar.

Sa herë që nuk di çfarë të thotë, ajo e thërret Rugovën.

Sa herë që i humb zgjedhjet, ajo kërkon ndihmë nga Rugova i ndjerë.

Sa herë që nuk arrin t’i bindë qytetarët, ajo sërish e thërret Rugovën.

Sikur Rugova të ishte një lloj aplikacioni politik që instalohet sa herë që sistemi i partisë pëson kolaps.

Prandaj slogani i saj i vërtetë mund të ishte:

“O Rugovë, eja na ndihmo ta mundim Albinin me mençurinë tënde, sepse me mençurinë tonë nuk po arrijmë dot.”

Kjo ngjan me një ekip futbolli, i cili ka tridhjetë vjet që luan pa trajner, por vazhdon t’ia tregojë kundërshtarit fotografitë e ish trajnerit legjendar me shpresën se ai do të trembet.

AAK e ka lutjen : “O Radojko, mos u dorëzo!”

AAK-ja, është një parti private, që prej vitesh e ka shndërruar konfliktin me Kurtin në program politik.

Në mungesë të ideve të reja, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë apo vizionit për të ardhmen, gjithçka reduktohet në një mision të vetëm:

“Të ndalet Albin Kurti.”

Kështu që slogani i saj satirik mund të tingëllojë kështu :

“O Radojko, mos iu dorëzo Kurtit.”

Sepse kur politika qyqare nuk arrin të krijojë shpresë, ajo fillon të kërkojë aleatë kudo — madje edhe aty ku logjika budallaqe e vendos tabelën “rrugë pa dalje”.

Përfundimi

Në fund, qytetari kosovar po e ndjek një spektakël interesant.

PDK-ja fshihet pas UÇK-së.

LDK-ja fshihet pas Rugovës.

AAK-ja fshihet pas Radojkit.

Ndërsa pyetja që vazhdon të mbetet pa përgjigje është shumë e thjeshtë:

Nëse hiqen UÇK-ja, Rugova dhe urrejtja ndaj Kurtit, çfarë mbetet nga programi i tyre politik?

Dhe pikërisht heshtja që pason pas kësaj pyetjeje është slogani më i sinqertë i opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *