“Rugova dhe UÇK-ja janë të popullit, jo të partive” – Mekuli ‘godet” ashpër LDK e PDK
Vjosa Osmani ka rikthyer në fokus figurën e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova gjatë fushatës elektorale, duke e cilësuar rugovizmin si model modern politik për Kosovën.
Në hapjen e fushatës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo theksoi se Kosova i rikthehet Rugovës dhe frymës së LDK-së sa herë ka nevojë për unitet, urtësi dhe dinjitet shtetëror.
“Sa herë që Kosova ka nevojë për urtësi, kthehet te Rugova!
Sa herë që Kosova ka nevojë për orientim, kthehet te Rugova
Sa herë që Kosova ka nevojë për dinjitet shtetëror, kthehet te Rugova!
Sa herë që Kosova ka nevojë për bashkim, kthehet te Lidhja Demokratike e Kosovës!”, ka shkruar në Facebook ajo.
Gëzim Mekuli, në një pronncim për “Bota sot”, thotë se përdorimi i figurës së Ibrahim Rugovës nga Vjosa Osmani në fushatë është përpjekje emocionale për të fituar mbështetje, për shkak të mungesës së ideve dhe programeve konkrete.
Ai e akuzon Osmanin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për hipokrizi, polarizim dhe shfrytëzim politik të trashëgimisë rugoviane.
“Në prag të zgjedhjeve nacionale të 7 qershorit, skena politike e Kosovës ka prekur fundin e moralit publik. Kur partive u mungon Logos-i, pra arsyeja, projektet konkrete dhe bilanci me fakte, mediat e tyre propagandistike ndezin motorët e Pathos-it. Ku spin-doktorët e Vjosa Osmanit po zbatojnë strategjinë më cinike: sulmin mbi emocionet, ndjenjat dhe nostalgjinë e popullit shqiptar për të vjedhur një legjitimitet të rremë.
Pse e them këtë e përse mendoj kështu, të nderuar lexues?
Manifestimi më i pastër i këtij falimentimi intelektual, etik e politik është deklarata e kandidates së LDK-së, Vjosa Osmani, e cila pa pikë marre e stërpërsëritë fjalinë: «Kur Kosova ka nevojë për dinjitet, kthehet te Rugova». Kjo sot nuk është urtësi; është «gjakderdhje elektorale» mbi një figurë historike për të mbuluar defektet e saj të tmerrshme udhëheqëse e njerëzore;
ImageGëzim MekuliFoto galeri
Vjosa Osmani, pa asnjë ide origjinale për problemet e sotme me të cilat ballafaqohen populli shqiptar dhe pakicat kulturore të Kosovës, struket në vitet e ’90-ta. Si mund të flitet për «orientim» rugovian kur politika që ajo përfaqëson është e ndërtuar mbi llogore, përjashtim dhe polarizim ekstrem? A nuk është ky falimentim politik dhe intelektual, të dashur lexues të gazetës «Bota Sot»?
Retorika e saj se LDK-ja «bashkon» është ofendim ndaj inteligjencës sonë; E them këtë sepse historia e LDK-së është një kronikë e zezë përçarjesh, hajnish, klanesh dhe thikash pas shpine, ku vetë Osmani ka shetitur nga njëri tabor në tjetrin për interesat e saj personale të karrierës. A nuk është kjo hipokrizia e «Bashkimit», të nderuar lexues?
Ajo thirret te dinjiteti i Rugovës sepse vetë ka deficit moral, intelektual e etik për të ofruar dinjitet të vërtetë shtetëror”, thotë ai.
Vampirizmi elektoral i Vjosës
Tutje, Mekuli akuzon Vjosa Osmani se po përdor figurën e Ibrahim Rugova për interesa elektorale, ndonëse sipas tij ajo ka mbështetur politika të majta dhe jo rugovizmin tradicional.
Ai kritikon edhe Partia Demokratike e Kosovës për përdorimin e emrit të UÇK-së në raste krizash politike, duke thënë se si Rugova ashtu edhe UÇK-ja janë vlera të gjithë popullit dhe jo pronë e partive politike.
“Ajo që e bën retorikën e Vjosa Osmanit intelektualisht të cekët është paradoksi i saj ideologjik; Ibrahim Rugova ndërtoi një lëvizje të qendrës së djathtë, thellësisht pro-perëndimore dhe institucionale. Fakti i pamohueshëm politik është ky:
Vjosa Osmani është e vetmja politikane në historinë e Kosovës që përdori votat e rugovistëve të djathtë për të fuqizuar dhe ngritur në pushtet një projekt të majtë, demokratik pro-perëndimorë, ndërsa sot, kjo zonjë rikthehet, pa pikë marre, në logon e LDK-së duke kërkuar sërish vota në emër të djathtizmit të Rugovës.
E në shkencat e komunikimit, ky marifet quhet «Vampirizëm elektoral»; pra, procesi ku një politikan thith substancën e një figure të vdekur për të ushqyer ambiciet e veta të çastit, pa pasur asnjë besnikëri ndaj parimeve të saj.
Kjo strategji funksionon si anestezi kolektive; sa herë që pyetet për planet ekonomike, për korrupcionin, përçarjet e njëpasnjëshme të partisë apo bllokimet ndërkombëtare nga LDK në vitin 2025/2026, përgjigjja e saj është e njëjtë: Rugova, Rugova, Rugova!
Të nderuar lexues,
Vjosa Osmani nuk është e vetme në këtë lojë të flliqtë. Në anën tjetër të të njëjtit medaljon korruptiv, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) zbaton saktësisht të njëjtin trik retorik; Sa herë që PDK-ja kapet ngushtë me afera, hajni apo humbje të pushtetit, ajo nxjerr nga xhepi emblemën e shejtë të UÇK-së për të manipuluar e për të shantazhuar emocionalisht shqiptarët e Kosovës.
E bash këtu duhet prerë zullumi i këtij manipulimi; As Ibrahim Rugova nuk është pronë e LDK-së, dhe as UÇK-ja nuk është pronë e PDK-së. Të dyja janë vlerat absolute të lëvizjes kombëtare shqiptare; janë të popullit të Kosovës. Privatizimi i tyre për vota është përdhunim i historisë sonë bashkëkohore.
Në marketingun politk ndërkombëtar, kjo lojë njihet si strategjia e «gomave të shfryra» apo «parazitizmi mbi të vdekurit»; Ja për shembull në Francë, liderët francezë pa karizmë politike fshihen pas Charles de Gaulle; në SHBA, fraksionet e dështuara manipulojnë me «Etërit themelues» për të shmangur llogaridhënien. Në LDK dhe PDK ndodh e njëjta gjë: fshihen pas autoritetit të të vdekurve, sepse të vdekurit nuk mund të çohen nga varri e t’i demantojnë. Apo jo, Vjosë? Apo jo, Bedri?
Konsekuent deri në fund:
Deri kur populli shqiptar i Kosovës do të pranojë të trajtohet si një vështrues pasv e naiv i një marketingu primitiv; ku Vjosa Osmani na e shet të majtën si rugovizëm të djathtë, ndërsa PDK-ja na e shet dështimin si sakrificë të UÇK-së?
Nëse këto parti kanë vërtet urtësinë e Rugovës dhe guximin e UÇK-së, pse sot, në vitin 2026, u duhet ende të fshihen si tucana pas simboleve të së kaluarës për të vjedhur vota, në vend që të na tregojnë me fakte se çfarë ardhmërie po u ofrojnë fëmijëve tanë, Kosovës tonë.
Më 7 qershor, historia u takon librave dhe arkivave, ndërsa institucionet u takojnë atyre që kanë guxim të flasin e të punojnë për të ardhmen e Republikës së Kosovës pa u fshehur pas varreve” – përfundon ai për “Bota sot”.
