Zv.ministri Dula: Serbia mbetet debitor i parreshtur për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit
Kryeministri Albin Kurti, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, si dhe kandidati për deputet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! me numrin 70 në listë, dhe zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ali Dula, morën pjesë në aktivitetin përkujtimor për ditën e zhdukjes së veprimtarit dhe intelektualit shqiptar Ukshin Hoti.
Përmes një postimi në Facebook, Dula tha se figura e profesor Ukshin Hotit do të mbetet përherë në kujtesën kombëtare për kontributin e tij në çështjen politike dhe kombëtare shqiptare.
“Në përpjekjet tona për çlirimin e kombit, figura e profesorit Mr. Ukshin Hoti do të ngelet në faqet më të ndritura të historisë sonë mbarëkombëtare. Duke qenë i rrallë si intelektual e vizionar i çështjes sonë politike kombëtare, ai zhduket nga Serbia për të mos dëftuar asnjëherë të vërtetën për fatin e tij”, ka shkruar Dula.
Ai shtoi se shteti serb vazhdon të mbetet “debitor i parreshtur” për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, duke kërkuar që e vërteta të ndriçohet sa më parë.
Sipas Dulës, në këtë përkujtim morën pjesë edhe deputetë, aktivistë, familjarë, bashkëpunëtorë dhe bashkëfshatarë të Ukshin Hotit, me ç’rast u nderua vepra dhe sakrifica e tij.
Postimi i Plotë:
Përkujtimi i ditës së zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti
“Në përpjekjet tona për çlirimin e kombit, figura e profesorit Mr. Ukshin Hoti do të ngelet në faqet më të ndritura të historisë sonë mbarëkombëtare. Duke qenë i rrallë si intelektual e vizionar i çështjes sonë politike kombëtare, ai zhduket nga Serbia për të mos dëftuar asnjëherë të vërtetën për fatin e tij. Shteti i Serbisë është debitor i parreshtur për ta gjetur dhe për ta thënë të vërtetën për fatin e prof. Ukshin Hotit, ndaj edhe ky borgj duhet të përfundojë e të ndriçohet sa më parë.”
Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministrin Andin Hoti, deputetë e aktivistë e familjarë, bashkëpunëtorë e bashkëfshatarë të Ukshin Hotit nderuam veprën dhe sakrificën e lavdishme të profesor Ukshin Hotit. Lavdi!
