OPINIONTË FUNDIT

Sonte në mesnatë mbyllet regjistrimi: Diasporë, mos e lini Kosovën të vendoset pa ju

Sot është dita e fundit për regjistrim për të votuar nga diaspora dhe ndoshta pikërisht sot duhet të kujtojmë një të vërtetë që shpesh harrohet në debatet politike të përditshme: Kosova nuk do të ishte kjo që është sot pa diasporën shqiptare.

Në momentet më të vështira të historisë sonë, kur Kosova nuk kishte shtet, kur shqiptarët përballeshin me represion, luftë dhe izolim, diaspora ishte pjesa që nuk u dorëzua. Ajo mbajti familjet gjallë, ndihmoi rezistencën, protestoi nëpër sheshet e Evropës dhe Amerikës, loboi për Kosovën dhe nuk lejoi që çështja shqiptare të harrohej nga bota.

Prandaj vota e diasporës nuk është vetëm procedurë teknike apo formalitet zgjedhor. Për shumë njerëz ajo është vazhdim i asaj sakrifice dhe lidhjeje që mërgata shqiptare nuk e ka shkëputur kurrë me Kosovën.

Ka njerëz që duan një diasporë të lodhur, të zhgënjyer dhe larg vendimmarrjes. Sepse e dinë se sa më pak të votojë diaspora, aq më lehtë kontrollohet shteti nga pazaret politike, interesat e ngushta dhe rrjetet që gjithmonë kanë pasur frikë nga qytetari i lirë.

Diaspora nuk varet nga tenderët. Nuk varet nga punësimet partiake. Nuk varet nga privilegjet e pushtetit. Dhe pikërisht për këtë arsye vota e saj ka peshë të madhe.

Me këtë votë nuk vendoset vetëm kush do ta udhëheqë Kosovën nesër. Vendoset edhe se çfarë shteti do të jetë Kosova në vitet që vijnë: një shtet që vendos vetë për fatin e tij apo një shtet që mbahet vazhdimisht në kriza, përçarje dhe pazare politike.

Shpesh thuhet se diaspora është larg Kosovës. Por ndonjëherë ata që janë fizikisht larg, e ndjejnë Kosovën më afër se shumë prej atyre që jetojnë çdo ditë në të. Sepse diaspora e di çfarë do të thotë të mos kesh shtet. E di çfarë do të thotë të mbrosh identitetin larg atdheut. Dhe e di sa e shtrenjtë është liria.

Prandaj sot nuk është ditë për apati dhe zhgënjim. Nuk është ditë për fjalitë:

“nuk ndryshon asgjë”,

“janë të gjithë njësoj”

apo

“nuk ia vlen”.

Sepse kur qytetari i ndershëm hesht, vendosin të tjerët në vend të tij.

Historia jonë na ka mësuar se Kosova ka humbur gjithmonë kur shqiptarët janë larguar nga vendimmarrja. Ndërsa ka fituar kur janë bashkuar për ta mbrojtur shtetin.

Prandaj, nëse ende nuk jeni regjistruar, regjistrohuni.

Jo vetëm për një parti apo për një kandidat.

Por për të drejtën që Kosova të mos vendoset pa ju.

Sepse një popull që heq dorë nga vota, gradualisht heq dorë edhe nga ndikimi mbi fatin e vet.

E diaspora shqiptare kurrë nuk ka qenë popull që dorëzohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *