Komuna e Malit të Zi shfuqizon njohjen e Kosovës, nënkryetari i Kuvendit flet rreth efektit dhe prapaskenave
Të martën, Kuvendi i Komunës së Zetës të Malit të Zi, ka miratuar një deklaratë përmes së cilës është shfuqizuar vendimi për njohjen e Kosovës.
Sipas raportimeve, këshilltarët e Kuvendit Komunal të Zetës kanë votuar pro kësaj deklarate, duke e konsideruar si një akt politik të bazuar në qëndrimet e tyre ndaj vendimeve të mëparshme shtetërore.
Në atë seancë është theksuar se institucionet e mëparshme të Malit të Zi, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, kanë injoruar, sipas tyre, vullnetin e një pjese të qytetarëve lidhur me statusin e Kosovës.
Deklarata gjithashtu përmban vlerësime politike për situatën e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, duke pretenduar se pozita e tyre është përkeqësuar nën institucionet aktuale në Prishtinë.
Me këtë akt, asambleja lokale e Zetës ka kërkuar simbolikisht anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi, ndonëse vendime të tilla i takojnë nivelit shtetëror.
Lidhur me këtë akt, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar nënkryetarin e kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, i cili thotë se deklarata të tilla komunale nuk kanë asnjë efekt juridik.
Sipas tij, politika e jashtme është kompetencë ekskluzive e institucioneve shtetërore dhe jo e vetëqeverisjeve lokale.
“Natyrisht se deklaratat e tilla komunale nuk kanë asnjë efekt juridik. Prta, edhe deklarata e Kuvendit të Komunës së Zetës për “tërheqjen e njohjes” së pavarësisë së Kosovës është juridikisht e pabazuar, politikisht joserioze dhe pa ndikim real juridik apo diplomatik. Siç dihet, politika e jashtme është kompetencë ekskluzive e institucioneve shtetërore dhe jo e vetëqeverisjeve lokale. Qëndrimi zyrtar i Malit të Zi në raport me Kosovën është i qartë, i njohur ndërkombëtarisht dhe i pandryshueshëm. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje është e mbyllur në aspektin juridik dhe diplomatik.
Pra, deklaratat e tilla nuk prodhojnë asnjë efekt real juridik apo diplomatik, por megjithatë mund të konsiderohen të dëmshme sepse nxisin tensione politike dhe rikthejnë në diskurs publik tema të së kaluarës, të cilat shumica e qytetarëve dhe vetë orientimi shtetëror i Malit të Zi i kanë tejkaluar”, deklaron Camaj.
ImageNikollë CamajFoto galeri
Sipas tij, Mali i Zi jo vetëm që e ka njohur Kosovën, por ka ndërmarrë hapa konkretë institucionalë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ai tregon dëshmi se politika zyrtare shtetërore është e përcaktuar dhe nuk mund të vihet në pikëpyetje nga iniciativa simbolike të nivelit lokal.
“Është me rëndësi të theksohet se Mali i Zi jo vetëm që e ka njohur Kosovën, por ka ndërmarrë hapa konkretë institucionalë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale, përfshirë emërimin e ambasadorit të tij në Kosovë dhe funksionalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Madje, ambasadori i fundit është emëruar nga kjo shumicë parlamentare, ku deri para pak muajsh bënte pjesë edhe subjekti politik që sot po përpiqet t’i relativizojë këto raporte. Kjo dëshmon qartë se politika zyrtare shtetërore është e përcaktuar dhe nuk mund të vihet në pikëpyetje nga iniciativa simbolike të nivelit lokal”, shprehet nënkryetari Camaj.
I pyetur se si mund të ndikojë veprimi i Kuvendit të Zetës në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës, Camaj thotë se nuk mund të ndikojë realisht në marrëdhëniet, sepse ato janë të ndërtuara mbi bazën e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe orientimit euroatlantik.
“Në aspektin politik, kjo nismë mund të shihet si një përpjekje për të krijuar debat politik të brendshëm dhe për të testuar reagimin e partive të tjera me orientim serb, por edhe të vetë qytetarëve, ndaj çështjeve të ndjeshme si raportet me Kosovën. Në këtë kuptim, ajo mund të shërbejë si instrument për matjen e klimës politike dhe pozicionimin e aktorëve të ndryshëm në skenën politike të Malit të Zi.
Megjithatë, jam më se i sigurt se kjo nuk mund të ndikojë realisht në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, sepse ato janë të ndërtuara mbi bazën e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe orientimit euroatlantik. Deklarata të tilla mund të krijojnë perceptime të panevojshme dhe mosbesim në opinionin publik në Kosovë, por nuk mund të ndryshojnë realitetin politik dhe diplomatik ndërmjet dy shteteve”, thekson Camaj.
Ai kërkon që Mali i Zi të vazhdojë të ndërtohet mbi partneritetin, kompromisin dhe barazinë ndëretnike.
“Mesazhi që duhet të mbizotërojë është se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por mund të mësohet prej saj. Rajoni ka nevojë për më shumë stabilitet, dialog dhe bashkëpunim ekonomik e politik, e jo për tema që prodhojnë tensione artificiale. Prandaj Mali i Zi si shtet multietnik duhet të vazhdojë të ndërtohet mbi partneritetin, kompromisin dhe barazinë ndëretnike. Pikërisht kjo është garancia më e mirë për stabilitetin e brendshëm, për marrëdhënie të mira rajonale dhe për rrugëtimin europian, aq të dëshirueshëm nga shumica.
Pra, në këtë kuadër, për partitë shqiptare, sidomos për Forumin Shqiptar, pjesë e të cilit jam deputet, çdo tentativë eventuale për ndryshim të qëndrimit të shtetit të Malit të Zi ndaj Kosovës paraqet vijë të kuqe politike. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm, marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën duhet të jenë pjesë e stabilitetit rajonal, orientimit euroatlantik dhe realitetit politik të pakthyeshëm. Kjo ishte edhe baza e marrëveshjes për të qenë pjesë e kësaj shumice, e cila është shumë më në nivel se ato të mërparshmet për të respektuar dallimet nacionale e konfesionale, duke siguruar baza për partneritet e jo për dekor, siç ishte rasti i mëparshëm”, shton Camaj.
Tema të tilla si ajo e Zetës, sipas Camajt, përdoren për përfitime politike afatshkurta.
Por, sipas tij deklarata të tilla mund të incizohen dhe të shfrytëzohen nga Serbia.
“Është evidente pra se në raste të tilla çështja e Kosovës përdoret për konsum të politikës së brendshme dhe për mobilizim të një pjese të elektoratit me orientim nacionalist. Kjo nuk është diçka e panjohur në rajon, sepse shpesh tema të ndjeshme kombëtare apo identitare përdoren për përfitime politike afatshkurta. Prandaj edhe them se kemi të bëjmë më shumë me një lojë politike ditore sesa me ndonjë përpjekje serioze për ndryshim të politikës shtetërore të Malit të Zi. Por, assesi nuk duhet nënvlerësuar fakti se deklarata të tilla mund të iniciohen dhe të shfrytëzohen nga Serbia në diskursin e saj politik kundër njohjes së Kosovës. Siç dihet, ajo prej vitesh përpiqet ta mbajë të hapur këtë çështje në arenën ndërkombëtare dhe deklarata të tilla mund të përdoren për konsum të brendshëm politik dhe për forcimin e narrativave të saj, por jam më se i sigurt se për sa i përket Mali të Zi, do të mbeten pa asnjë efekt juridik real. Madje, as realiteti politik i Ballkanit nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave simbolike. Kufijtë i sigurojnë faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtar. E ardhmja e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi respekt reciprok, bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira ndërmjet popujve. Vetëm në këtë mënyrë Ballkani mund të largohet përfundimisht nga politika e konflikteve dhe të ecë drejt stabilitetit dhe integrimit evropian, prandaj edhe me vjen keq për guximin e disave të dalin me këso prononcimesh”, përfundon nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi.
Ndryshe, Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor 2008.
Vendimi u mor nga Qeveria e atëhershme e Malit të Zi, e udhëhequr nga Milo Gjukanoviq, rreth shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
