POLITIKATË FUNDIT

“Kosova nuk duhet të sundohet nga banditët”, familja Imeri reagon ndaj Lushtakut, ia përmendin të kaluarën ‘e errët’

Familja e veprimtarit të ndjerë Haki Imeri ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Skenderaj, ku u sulmua zëvendësministri i Financave Hysni Mehani.

Në reagimin publik, familja Imeri e ka cilësuar si “shpifje ordinere” pretendimin e kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku se Mehani e kishte quajtur atë “Sami Serbia”.

Sipas tyre, kjo është një “shpikje” e bërë për të arsyetuar, siç thuhet, “sulmin barbar” ndaj Mehanit.

“Sulmi ndaj Hysni Mehanit është krim që duhet të ndëshkohet. Kur krimi vjen i paramenduar dhe i organizuar nga kryetari i komunës, njëherësh shef i PDK-së për Skenderajn, kjo tregon gjithë të vërtetën për mënyrën se si drejtohet kjo parti”, thuhet në reagim.

Familja e Haki Imerit ka përmendur edhe të kaluarën politike dhe akuzat publike ndaj Lushtakut, duke theksuar se “historia e dyshimeve dhe akuzave për krime ndaj kreut të PDK-së në Skenderaj është e vjetër”.

Në reagim përmenden pretendime për keqpërdorime të fondeve të luftës, përfshirë fondet “Tre përqindëshi” dhe “Vendlindja Thërret”, si dhe akuza për eliminim të kundërshtarëve politikë dhe organizim atentatesh.

Tutje, familja Imeri thekson se rasti i fundit ndaj Mehanit “tregon qartë se kush e sundon Drenicën sot”, duke shtuar se qytetarët, sipas tyre, “nuk e duan, por shumica vetëm ia kanë frikën”.

Në fund të reagimit, ata bëjnë thirrje që institucionet e Kosovës të reagojnë menjëherë dhe “pa frikë”, ndërsa kërkojnë që në Kosovë “të sundojë ligji dhe jo banditët”.

“I dëshirojmë shërim të shpejtë Hysni Mehanit. Shteti duhet të reagojë menjëherë — pa vonesë dhe pa frikë”, përfundon reagimi i familjes së veprimtarit Haki Imeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *