“Lojë pushteti” në Kosovë? Driton Tali zbulon prapaskenat
Dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues e ka futur vendin në një situatë të re politike, duke çuar në shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh.
Ky zhvillim nxjerr në pah mungesën e konsensusit mes forcave politike dhe sfidat e vazhdueshme të funksionimit institucional. Vendi hyn kështu në një periudhë të re elektorale, ku qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm politik.
Presidenti nuk u zgjodh për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita bojkotoi seancën. LVV fajëson opozitën për bllokadë, ndërsa kjo e fundit kërkon një marrëveshje më të gjerë politike.
Kurse, më 7 qershor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike në vend janë rezultat i një gare të qartë për pushtet, të cilën ai e kishte paraparë që pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
ImageDriton TaliFoto galeri
Sipas tij, partitë opozitare po llogarisin se pa votat “en masse” të mërgatës do të arrijnë të fitojnë më shumë vota, duke rritur kështu edhe fuqinë e tyre negociuese në skenën politike.
“Ndodhi ajo që e pata paraparë që në janar kur dolën rezultatet perfundimtare të zgjedhjeve te 28 dhjetorit.
Pra kemi të bëjmë me garën për pushtet.
Partitë opozitare besojnë se pa votat “en masse” të mërgatës do të fitojnë më shumë vota për çka edhe do ju rritet fuqia negociuse. Kjo është ai rezultat i modelit të krijuar të qeverisjes në koalicion.
Arsyetimet tjera janë demagogji për mendimin tim”, thotë ai.
Analisti më tej, thekson se situata aktuale duhet parë si pjesë e një procesi mësimi nga gabimet. Sipas tij, pas zgjedhjeve partitë do të detyrohen të respektojnë rezultatin, përndryshe do të përballen me reagim qytetar.
“Unë këto i shoh si proces, në thjerrzën e “kurbës së eksperiencës – mësimit”. Po mësojmë gradualisht nga gabimet që i bëjmë.
Shumë besoj se pas këtyre zgjedhjeve, pa marrë parasysh rezultatin, partitë do të veprojnë konform rezultatit se për ndryshe nuk ka kuptim, do ketë reagim të qytetarëve”, u shpreh Tali.
