Rikthimi i Osmanit në LDK dhe kalkulimet zgjedhore: Sinjale të paqarta nga deklarata e Abdixhikut
Pas shpërndarjes së Kuvendit dhe vendit që po shkon drejt zgjedhjeve të reja, skena politike në Kosovë është futur në një fazë të re kalkulimesh dhe pozicionimesh strategjike.
Në këtë kontekst, një deklaratë e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka tërhequr vëmendje dhe ka hapur debat mbi synimet dhe drejtimin që kjo parti po kërkon të marrë në prag të zgjedhjeve.
Duke folur në një konferencë për media, Abdixhiku u shpreh se ish-presidentja Vjosa Osmani “me siguri” mund të jetë kandidate e LDK-së për presidente, megjithëse theksoi se për një çështje të tillë duhet fillimisht të diskutohet me të dhe se nuk është korrekte të merret një qëndrim përfundimtar pa praninë e saj.
Në të njëjtën kohë, ai e përjashtoi mundësinë që Osmani të jetë kandidate për kryeministre, duke lënë të kuptohet se roli i saj potencial shihet në kuadër të postit të presidentit pas zgjedhjeve.
“Me siguri do jetë dhe mund të jetë kandidate për presidente, por për këtë çështje më lejoni që të diskutoj me të, meqenëse nuk është subjekt i sotëm prezent këtu, nuk është as korrekte”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Njëkohësisht, kjo deklaratë hedh hije dyshimi edhe mbi koherencën politike të vetë LDK-së, duke ngritur dilema nëse kemi të bëjmë me një strategji të qartë apo me një improvizim politik në prag zgjedhjesh.
Në këtë kontekst, deklarata e Abdixhikut nuk lexohet thjesht si një mundësi hipotetike, por si një përpjekje për të ndikuar në narrativën politike dhe për të krijuar një perceptim të ri electoral.
Qarri: Qëllimi i Abdixhikut është shkatërrimi i shtetit të Kosovës në kooketim me dy partitë tjera opozitare
E në lidhje me këtë çështje, pra deklaratave të Abdixhikut dhe rikthimit të Osmanit në LDK në zgjedhjet e jashtëzakonshme, foli për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.
ImageGani QarriFoto galeri
Si fillim, ai tha se, shkaktimin e destabilitetit dhe krijimin e bllokadave për zgjedhjen e presidentit, fillimisht e nisi Osmani, kur shpërndau Kuvendin në mars të këtij viti, e që i njëjti vendim u hodh poshtë nga Kushtetuesja.
Kurse, sa i përket Abdixhikut, u shpreh se, ky i fundit ka filluar të shesë “profeci” ende pa e ditë se si do dalë në përqindje në zgjedhjet e ardhshme.
“Në fakt përpjekjet për prishjen e çdo fillimi të mbarë, shkaktimin e destabilitetit politik dhe krijimin e problemeve sociale në vend, për inate personale, kanë filluar që nga 6 marsi i këtij viti kur ish presidentja Osmani ende pa zbardhur mirë mëngjesi, pa larë as sytë dhe akoma pa u ngritur qytetarët nga gjumi, në kooketim me tezakun e burrit të saj, shpalli shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës, gjatë 27 viteve në liri.
Një enigmë e tillë e stërlodhtë alla preshevarçe, vazhdon edhe pas shpërndarjes së Kuvendit dhe çuarjes së Kosovës në zgjedhjet e pesta brenda 16 muajve, pa asnjë nevojë, tani nga tezaku i burrit të ish presidentes dhe kreu shumëfish i dështuar, i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili derisa nuk e di as për vete se me çfarë përqindje do të dalë nga zgjedhjet e reja, ka filluar ti shes Popullit të Kosovës “profeci” të pjerrëta “shqipërim arifqe” se si Vjosa Osmani, nusja e Preshevës, mund të jetë “me siguri” kandidatja e partisë për presidente, gjë që e bënë edhe më të pasigurt mundësinë e kandidimit të saj, për të parën e vendit”, deklaroi analisti.
Krahas kësaj, Qarri u tregua edhe më i ashpër me Abdixhikun, ku tha se për qëllim kishte shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
Madje, ai komentoi edhe faktin se pse nuk do e kandidojë Osmanin për kryeministre, por për presidente.
“Qëllimi i Abdixhikut është shkatërrimi i shtetit të Kosovës në kooketim me dy partitë tjera opozitare dhe mundësisht lëshimit nën pragun zgjedhor të LDK-së, i cili edhe në pyetjen nëse Osmani do të jetë kandidate për kryeministre, Abdixhiku dha përgjigje edhe më naive dhe tërësisht ekuivoke, se gjoja zonja Osmani mund të propozohet pas zgjedhjeve për postin e presidentit, gjë që kishte mundësi ta bënte edhe me 27 apo 28 Prill, por qëllimisht nuk e bëri dhe la të nënkuptohet se paraprakisht nusja e Preshevës, duhet të jetë plotësisht e dëgjueshme ndaj komandimeve strikte të Lumir Abdixhikut, të bëjë vetëm çfarë i thotë ai dhe ti nënshtrohet deri në përulësi, burrit me nam, me origjinë nga Presheva, nëse dëshiron të propozohet radhën tjetër për presidente, nga partia ku edhe vet Abdixhiku është katapultuar në mënyrë misterioze dhe përkundër të gjitha dështimeve kryeson mbetjen e quajtur LDK, pa qenë kurrë as anëtar i thjeshtë i saj”.
Edhe më tej, analisti kritikoi kreun e LDK-së, duke thënë se po bën një lojë tepër naive, duke përmend Osmanin, e që edhe për këtë të fundit kishte disa kritika.
“Deklarata e manekenit të mërzitshëm preshevar Lumir Abdixhikut për mundësinë që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për presidente, pas zgjedhjeve, duhet nënkuptuar si lojë tepër naive e mafisë politike, e cila pas shkatërrimit të strofullit në veri të Kosovës, ka gjetur vend në Prishtinë dhe po vepron, përsëri sipas direktivave të Aleksandër Vuçiqit, për prishjen e stabilitetit politik, pengimin e Kosovës në forcimin e faktorizimit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe ecjen përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike, si strategji turpi dhe egoizmi të paprecedent, për forcimin e pozicionit personal, dhe dëmtimin edhe më të rëndë të LDK-s, si ish parti e mirënjohur institucionale, që nën tutelën e Lumirit vepron me këmbë e duar për ngërçe politike, bllokada institucionale dhe pengimin e shtetit për ecjen përpara”.
Ndër të tjera, ai shtoi se, e gjithë kjo lojë e Abdixhikut dhe Osmanit do i kushtojë shumë LDK-së në zgjedhjet e reja.
“E gjithë loja e tij, nuk ka të bëjë më as me profilizimin pozitiv të Vjosa Osmanit, as me rritjen elektorale të LDK-së, por me pengimin e shtetit të Kosovës, denigrimin dhe vendosjen në pozitë sa më qesharake të ish presidentes Osmani, si dhe uljen sa më poshtë të reitingut politik të saj nga frika se po u kthye Vjosa edhe njëherë në LDK, mund t`ia marrë edhe postin e kryetarit të partisë, si dhe rënien elektorale të ish partisë dikur mbarëkombëtare, LDK-së së madhe të Ibrahim Rugovës, e cila tanimë duket publikisht se Abdixhikut do t`ia shoh sherrin edhe më keq se Isa Mustafës, gjë që do ta dëshmojë vet koha”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Gacaferi: Abdixhiku po mundohet ta përdor atë për të shpëtuar veten
ImageLuan GacaferiFoto galeri
Kurse, anëtari i Guxo, Luan Gacaferi u tregua i ashpër me Abdixhikun, duke thënë se, nuk mund të ketë diçka konkrete për Osmanin, duke u bazuar në deklaratat e tij të mëparshme.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se, kreu i LDK-së po tenton ta shpëtojë vetën, përmes Osmanit.
“Njëjtë, siç tha se mund të jetë kandidate për presidente edhe tash po thotë mund të propozohet për presidente pas zgjedhjeve,
Është ka shihet nga Hëna, që Abdixhiku po mundohet ta përdor atë për të shpëtuar veten dhe pastaj me një email do e flaki në rrugë si dikur që e flakën”, deklaroi Luan Gacaferi për “Bota sot”.
Kujtojmë se, afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.
Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli një dekret për zgjedhjet e reja. Por, vendimi u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. Kushtetuesja tha se deputetët kishin afat 34 ditë – pra deri më 28 prill – që të zgjidhnin një pasues të Osmanit.
Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.
Kurti më pas mbajti disa takime me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, por ato nuk sollën ndonjë marrëveshje.
