OPINIONTË FUNDIT

PDK dhe LDK drejt zgjedhjeve për interesa të ngushta? Analistët: Shmangie nga përgjegjësia

Tërheqja e PDK-së dhe LDK-së nga bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri nuk është thjesht një veprim procedural, por një sinjal i qartë i krizës së besimit dhe mungesës së vullnetit për kompromis në skenën politike.

Në një sistem parlamentar, zgjedhja e presidentit kërkon konsensus dhe përgjegjësi të përbashkët, ndaj mungesa e dialogut mes partive politike në Kosovë, po e komplikon më tej procesin dhe po e rrit rrezikun e bllokadave institucionale.

Në këtë sfond, shtrohet me të drejtë çështja nëse kjo tërheqje është pjesë e një strategjie më të gjerë politike për ta orientuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Zgjedhjet mund të perceptohen nga opozita si një mundësi për të rikonfiguruar raportet e forcave politike, për të rikthyer mbështetjen elektorale apo për të sfiduar legjitimitetin e shumicës aktuale. Megjithatë, një qasje e tillë bart edhe rreziqe të konsiderueshme, përfshirë lodhjen e elektoratit, thellimin e polarizimit politik dhe pasigurinë institucionale në një periudhë të ndjeshme për zhvillimin e vendit.

Prandaj, dilema mes kompromisit dhe zgjedhjeve të reja mbetet thelbësore: a është refuzimi i dialogut një kalkulim afatshkurtër politik apo një strategji e menduar për përfitime afatgjata?

Zogaj thotë se partitë synojnë pushtetin, jo shtetin, ndërsa dështimi për marrëveshje rrezikon funksionimin institucional

ImageSkender ZogajFoto galeri
Për këtë ҫështje, analisti Skënder Zogaj vlerëson se partitë politike në një demokraci duhet të garojnë me programet e tyre dhe të fitojnë besimin e qytetarëve përmes votës së lirë.

“Partitë politike nuk janë për të bërë kompromise, por për të zhvilluar konceptet e tyre politike dhe, përmes tyre, të fitojnë besimin e qytetarëve”, deklaron Zogaj.

Sipas tij, thelbi i demokracisë mbetet konkurrenca e lirë dhe verdikti i votës.

Megjithatë, ai thekson se kompromiset janë pjesë e rëndësishme e funksionimit demokratik.

“Kompromiset demokratike janë të ligjshme dhe, kur ekziston vullneti i mirë, ato përbëjnë një vlerë shtesë që e fuqizon frymën demokratike të qeverisjes”, shprehet ai.

Duke iu referuar situatës aktuale politike, Zogaj thotë se një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës do të kishte shmangur krizën.

“Një kompromis ndërmjet pozitës dhe opozitës do të kishte qenë shumë i dëshirueshëm, sepse do ta kishim një presidencë funksionale dhe nuk do të ndodhte shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thekson ai, duke shtuar se tani ato duken të pashmangshme.

Në fund, Zogaj vë në pah përgjegjësinë e përbashkët të subjekteve politike.

“Se kush është më shumë apo më pak fajtor ka pak rëndësi; e vërteta është se Kosovës nuk do të duhej t’i ndodhte një e keqe kaq e madhe në kohë lirie”, thotë ai, duke përfunduar se “të gjitha subjektet politike treguan se nuk e duan shtetin, por pushtetin”.

Makolli: Opozita ka shmangur përgjegjësinë, ndërsa Kryeministri po dominon skenën duke imponuar ritmin e zhvillimeve

ImageVesel MakolliFoto galeri
Ndërsa, analisti politik Vesel Makolli vlerëson se, pas dy palë zgjedhjeve të fundit ku Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, rolin kryesor në zhvillimet politike në vend e ka kjo parti, përkatësisht Kryeministri Albin Kurti.

Sipas tij, Kurti po përpiqet t’u shmanget obligimeve që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh obligimet që i ka marrë përmes marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të cilat mund të cenojnë integritetin e shtetit, ai po përpiqet t’i shmangë ato përmes prolongimit të vazhdueshëm”, deklaron Makolli.

Ai shton se kjo po bëhet përmes krijimit të krizave politike të njëpasnjëshme.

“Një nga këto është edhe moskrijimi i kushteve për zgjedhjen e Presidentit, që automatikisht e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thekson ai.

Makolli kritikon edhe opozitën për mungesë uniteti dhe shmangie nga përgjegjësitë.

“Opozita nuk ka qenë e bashkuar dhe i është shmangur marrjes së përgjegjësive, ndonëse ka pasur mundësi të marrë pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025”, thotë ai.

Sipas tij, kjo situatë i ka mundësuar Kurtit të krijojë një narrativë ku opozita paraqitet si bllokuese e zgjedhjes së presidentit.

Duke folur për qasjen e Kryeministrit ndaj partive opozitare, Makolli shprehet:

“Me veprimet ndaj dy partive më të mëdha opozitare, Kurti ka treguar se nuk dëshiron të bëjë koncesione, por synon të sundojë, jo të bashkëqeverisë”.

Ai shton se opozita është vënë përpara aktit të kryer dhe është shtyrë të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në fund, Makolli vlerëson se zgjedhjet e reja mund të jenë të rrezikshme për opozitën.

“Nga dy opsione të pafavorshme, opozita po detyrohet të zgjedhë atë më pak të pafavorshmin”, thotë ai, duke shtuar se mbetet të shihet nëse votuesit do ta kuptojnë këtë, siç e quan ai, “lojë politike për interesa partiake dhe personale”, që sipas tij po i shkakton dëme vendit, sidomos në rrafshin ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *