Dugolli, deputet i VV-së: Koalicioni për bllokimin e shtetit funksionoi
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar opozitën dhe Listën Serbe për bashkëveprim në bllokimin e proceseve shtetërore.
Përmes një postimi publik, Dugolli tha se “koalicioni për bllokimin e shtetit funksionoi”, duke iu referuar dështimit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ai pretendon se opozita, përkatësisht PDK, LDK dhe AAK, jo vetëm që nuk e kundërshtuan këtë situatë, por me veprimet e tyre e bënë të mundur pamundësimin e zgjedhjes së të paktën një anëtari.
Sipas tij, kjo nuk është më çështje e qëndrimeve politike, por një bllokadë e qëllimshme ndaj shtetit dhe institucioneve.
Postimi i plotë i Enver Dugollit:
“Deshën apo nuk deshën ta pranojnë, një gjë është e sigurt: koalicioni për bllokimin e shtetit funksionoi. Janë të rralla rastet kur Lista Serbe qëndron në sallën e Kuvendit, por sot qëndroi ‘stoikisht’ vetëm për të penguar zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Opozita (PDK, LDK, AAK), siç duket, jo vetëm që nuk e kundërshtoi këtë skenar, por me veprimet e saj e bëri të mundur, duke pamundësuar që të paktën një anëtar të zgjidhet. Ky nuk është më qëndrim politik, është bllokadë e qëllimshme ndaj shtetit.
Në vend të përgjegjësisë, po shohim bashkëpunim në dëm të institucioneve. Kjo është e papranueshme.
Turp!”
