OPINIONTË FUNDIT

Afati i presidentit po afron/ Avokati paralajmëron: Kriza politike shmanget vetëm me…

Kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në afatin e përcaktuar për zgjedhjen e presidentit, një proces ky që po shihet si vendimtar për stabilitetin institucional të vendit.

Nëse brenda këtij afati nuk arrihet një marrëveshje politike dhe nuk sigurohet shumica e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit, atëherë situata mund të shkojë drejt një krize institucionale.

Në një skenar të tillë, vendi do të detyrohej të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh, duke hapur kështu një periudhë të re pasigurie politike dhe negociatash intensive mes partive.

Avokati Gazmend Halilaj, në një bashkëbisedime për “Bota sot”, tha se situata politike kërkon maturi dhe përgjegjësi nga të gjitha partitë, të cilat duhet të lënë mënjanë interesat partiake dhe të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.

Ai thekson se ekziston ende hapësirë për konsensus nëse ka vullnet politik, për të shmangur një krizë të re zgjedhore.

Nëse procesi dështon, Halilaj thotë se zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh janë një zgjidhje demokratike, por me sfida të mëdha organizative dhe financiare.

Ai shton se ndërkombëtarët mund të ndihmojnë si lehtësues të dialogut, por pa ndërhyrë në vendimmarrjen e brendshme, ndërsa përgjegjësia kryesore mbetet te liderët politikë.

“Si avokat dhe mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje, vlerësoj se situata aktuale politike kërkon maturi, përgjegjësi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e qytetarëve dhe rendin kushtetues. Me vetëm dy javë të mbetura deri në afatin për zgjedhjen e presidentit, përgjegjësia bie mbi të gjitha subjektet politike që të tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe të kontribuojnë në arritjen e një konsensusi që garanton stabilitet institucional. Besoj se ekziston hapësira për marrëveshje nëse ka vullnet politik të sinqertë, sidomos duke pasur parasysh se vendi nuk ka nevojë për një krizë të re zgjedhore në këtë moment.

Megjithatë, nëse dështon ky proces, zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh janë një mekanizëm demokratik legjitim, por mbeten sfiduese për shkak të përgatitjeve të shpejta organizative dhe kostos politike e ekonomike që ato sjellin.

Sa i përket rolit të ndërkombëtarëve, ata mund të shërbejnë si faktor stabilizues dhe lehtësues i dialogut, duke inkurajuar respektimin e proceseve demokratike dhe kushtetuese, por pa ndërhyrë në vendimmarrjen sovrane të institucioneve të vendit. Në fund, përgjegjësia kryesore mbetet tek përfaqësuesit politikë që të dëshmojnë pjekuri dhe përkushtim ndaj interesit publik”, deklaroi avokati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *